“Erion, si do votosh për ligjin e tokave bujqësore?”/ Muçi kapet me Braçen, socialisti: Edhe të jetosh 100 vjet, ti nuk flet dot…

Politikë

“Erion, si do votosh për ligjin e tokave bujqësore?”/

Një tjetër debat është zhvilluar në Kuvend mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi dhe deputetit socialist Erion Braçe, gjatë diskutimit për ligjin e tokave bujqësore. Muçi ngriti akuza për problematikat në bujqësi dhe politikat e qeverisë, ndërsa Braçe iu përgjigj duke mbrojtur qëndrimet e tij dhe punën e bërë për sektorin.

“Dua të flas për një ligj me të cilin bie dakord me Erionin, që do e votoj dhe unë kundër. Erioni përmendi që sektori i ndërtimit ka pasur rritje, ndërkohë bujqësia ka pasur rënie. Të njëjtën gjë e shfaq edhe unë me anë të grafikut. Nuk mund të quhet sektor produktiv një sektor që përdoret për pastrimin e parave të drogës. Nuk të kam dëgjuar që ta prekësh ndonjëherë këtë. Kjo ndikon në rënien e euros dhe kjo bie rëndë për bujkun. Si ka mundësi që në këtë vend rritet turizmi dhe bie bujqësia? Çfarë hanë këta njerëz shtesë që vijnë? Pse nuk hanë domate dhe kastraveca të vendit tonë, por të maqedonasve? Ligji që po shqyrtojmë është shtesa dhe ndryshime të tokës bujqësore. Me këto ndryshime, jo vetëm që s’do mbrohet, por do grabitet. Ata bujq që kanë paguar 35 vite taksën e tokës, do t’u merret toka një ditë. Ky është ligji që futi në sherr Damianin me Ulsiun. Po të pyesni bujqit, do ju thonë se tokat e tyre janë grabitur.

Bujqësia ka shumë e shumë probleme, që s’e kam dëgjuar ekspertin e bujqësisë, Erionin, të flasë në këtë sallë, për kalbjen e produkteve, ngordhjen e bagëtive. Erion, ti që je opozita e vërtetë e kësaj salle, si do votosh kur të vijë në Parlament ligji, që tokën bujqësore që nuk e ka gëzuar shqiptari për 35 vjet, t’i hapet paralelja e të huajve, shqiptarë janë edhe ata se kanë marrë pasaporta nga trafiku lart e poshtë, që t’ua shesësh tokën bujqësore të huajve? Si do votosh? A do kesh guximin t’i dalësh kundër këtij të gjatit? Na e thuaj e pastaj na jep mend”, tha Muçi.

Në përgjigjen e tij, Braçe tha se Muçi nuk mund të flasë kurrë për bujqësinë dhe tokat në vend, aq sa deputeti socialist ka folur.

“Mua, të çohem këtu e të them që nga trafiku lart e poshtë merr pasaportë amerikane, gjermane, franceze, nuk e bëj dot. Unë di pak, nuk di sa ty. Mesa di unë, që të merresh me trafik droge nuk është shpërblim dhënia e pasaportave të atyre vendeve. O Redi, ky është problemi yt dhe i partisë tënde. Gjërat që keni në kokë i kujtoni të vërteta. Vëre mendjen në punë dhe mos prodho budallallëqe. Ti duhet të zgjidhesh 100 vite rresht deputet që të flasësh për bujqësinë aq sa kam folur unë. Nuk do të mjaftojë jeta dhe as lekët, as tokat, nuk do të vijë në ndihmë as Greqia për të folur sa kam folur unë.

Kur vezët, domatet, kastravecat që janë ushqim dhe prodhim i atyre burrave e grave që kanë punuar në ato toka që ti s’ke shkuar. Të dalësh nga mëngjesi e në darkë e të thuash që kastraveci është me pesticide dhe veza është nga pula e sëmurë, nuk i blen njeri. Euro te bujqit ndikon, por duhet të ndikojë në ulje, jo në ngritje. Nuk eksporton bujku. Inxhinier je, nuk ke lidhje me bujqësinë e as me ekonominë, deri më sot, gjithë këtë ulje e kam mbajtur eksportuesi. Ti nuk e kupton këtë gjë sepse nuk shkon të blesh në pazar”, u shpreh Braçe.

 

ME TE LEXUARAT