Evazioni fiskal i “Bankers Petroleum”, GJKKO zbut masën e sigurisë për CEO-n kinez dhe tre të tjerë

Aktualitet

Evazioni fiskal i “Bankers Petroleum”, GJKKO zbut masën e

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zbutur masat e sigurisë për katër nga të pandehurit e dosjes “Bankers Petroleum” të akuzuar për evazion fiskal dhe mashtrim me TVSH-në.

Gjykata ka zbutur masën e “arrestit në shtëpi” në “detyrim paraqitje” për CEO-n kinez Hongping Xiao, ish administratorin Leonidha Çobo si dhe dy të pandehurit e tjerë Ardit Kero dhe Lianyi Wang. Po ashtu, ndaj tyre është caktuar edhe masa e ndalimit të daljes jashtë vendit.

Kujtojmë që Bankers akuzohet për evazion fiskal dhe krijim skemash mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Hetimi, i nisur në dhjetor 2024, zbuloi se kompania kishte humbje të vazhdueshme për 20 vite, nga viti 2004 deri në fund të 2024-ës, duke shmangur pagesën e taksave dhe duke u përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera miliona eurosh.

Gjatë periudhës 2004–2024 kompania kineze akuzohet se ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekë, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë.

Prokuroria e Fierit shpalli moskompetencë për dosjen vitin e kaluar dhe e transferoi në SPAK pasi gjatë hetimeve dolën në dritë elementë të rinj që kanë të bëjnë me veprën penale të korrupsionit, që përfshijnë zyrtarë të lartë, si edhe grup të strukturuar kriminal.

ME TE LEXUARAT