Fluks i lartë në Kapshticë, rreth 6 000 shtetas kalojnë drejt Greqisë brenda 24 orëve, pritet rritje në ditët në vijim

Vijon të jetë i lartë fluksi i lëvizjeve në dalje nga Shqipëria drejt Greqisë, përmes pikës së kalimit kufitar të Kapshticës.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit, në drejtim të Greqisë kanë dalë 5,795 shtetas, ndërsa në Shqipëri kanë hyrë 3,229 shtetas.
Për përballimin e fluksit, në Kapshticë policia kufitare po punon me 4 sportele në dalje dhe 3 në hyrje. Autoritetet parashikojnë që lëvizjet në dalje të shtohen edhe më tej në ditët në vijim, për shkak të kthimit të emigrantëve shqiptarë drejt vendeve të tyre të punës në Greqi, pas përfundimit të pushimeve verore.
Ndërkohë, situata në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës paraqitet normale. Gjatë 24 orëve të fundit, në dalje nga Shqipëria janë regjistruar 4,551 shtetas, ndërsa në hyrje 3,248.
Në Qafë Thanë janë në funksion 5 sportele, ndërsa autoritetet kufitare bëjnë me dije se fluksi i lëvizjeve është brenda parametrave normalë për këtë periudhë.


