FOTO/ Sekuestrohen 1.6 ton kokainë, ketaminë dhe armë, goditet banda shqiptare në Belgjikë

Aktualitet

FOTO/ Sekuestrohen 1.6 ton kokainë, ketaminë dhe armë, goditet

Prokuroria e Antwerp njoftoi se ka arrestuar 16 persona në kuadër të një hetimi për një organizatë kriminale që dyshohet se importonte kokainë përmes portit.


Në total janë sekuestruar mbi 1.6 ton kokainë. Përveç kësaj, janë konfiskuar disa armë zjarri, municione dhe materiale të tjera të përdorura për tregti të paligjshme.

Sipas prokurores Kato Belmans nga prokuroria e Antverpës: “Policia Federale Gjyqësore (FGP) kishte informacione për një bandë droge, kryesisht shqipfolëse, që përdorte një magazinë në rrugën Pereboom në Moerbeke, afër Lokeren, për të nxjerrë drogën nga një kontejner”.

“Të martën, më 21 tetor, policia ndërhyri me njësi speciale. Gjatë operacionit, në Sint-Niklaas dhe në rrugën ekspres E34, u arrestuan gjashtë persona. Në një furgon u gjetën 1.398 kg kokainë të fshehura në arka druri”.

Hetimet zbuluan se banda përdorte tre apartamente në rrugën Van Immerseel në Antverpë për të ruajtur përkohësisht drogën. Gjatë bastisjeve të zhvilluara atë pasdite, policia gjeti hapësira të fshehta të ndërtuara në mënyrë profesionale.

“Një 39-vjeçar nga Holanda ishte specializuar në krijimin e hapësirave të fshehta në banesa dhe automjete,” shtoi Belmans. “U gjetën edhe 277 kg të tjera kokainë, një presë për kokainë dhe disa armë zjarri me municion. Në total u arrestuan shtatë persona”.

Banda përdorte gjithashtu një magazinë në rrugën Scheldelaan në Willebroek. Javën e kaluar, policia arrestoi aty tre persona – tre shtetas serbë të moshës 22 dhe 25 vjeç.

Gjatë kontrolleve u gjetën 10.000 euro, një pajisje për ndërprerjen e sinjaleve (“jammer”), pasaporta të falsifikuara, karta policie të rreme dhe armë me municion.

“Javën e kaluar dhe dje, të dyshuarit dolën para dhomës së këshillit. Dhoma vendosi të konfirmojë arrestimet, ndërsa për tre nga të dyshuarit, seanca u shty,” bëri të ditur prokuroria.

Banda dyshohet se furnizonte me kokainë disa organizata të tjera kriminale. Ata përdornin disa banesa në Antverpë si qendra për tranzitin e drogës drejt Mbretërisë së Bashkuar me kamionë.

Në këtë kuadër, policia kishte ndërhyrë edhe në mes të shtatorit. Gjatë një operacioni të përbashkët me policinë lokale të Antverpës, u arrestuan edhe tre persona të tjerë, të cilët u kapën me 50 kg kokainë, 25 kg ketaminë dhe disa armë zjarri. Ata ndodhen aktualisht në paraburgim.

ME TE LEXUARAT