Gara për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, zbardhen dokumentet që sollën përplasjen e anëtarëve të KLP-së

Në media janë zbardhur dokumentet që u bënë shkak për debatet e forta një ditë më parë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pikërisht në mbledhjen ku pritej të niste shqyrtimi i pesë kandidaturave në garë për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Në qendër të përplasjes ishte kërkesa e kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit të KLP-së, Vatë Staka, nga shqyrtimi dhe votimi i kandidaturës së tij.
Pas kërkesës së Pjetërnikajt qëndron një histori e nisur në vitin 2018, gjatë kohës kur ai drejtonte Prokurorinë e Shkodrës dhe urdhëroi verifikimin e dosjeve në arkivën e institucionit, proces që çoi në regjistrimin e procedimeve penale dhe, më pas, në hetimin edhe të pretendimeve për falsifikim të akteve procedurale nga prokurori i atëhershëm Vatë Staka.
Dokumentet e siguruara nga mediat regojnë se konflikti i pretenduar nga Ylli Pjetërnikaj me Vatë Stakën e ka zanafillën në vitin 2018, kur Pjetërnikaj drejtonte Prokurorinë e Shkodrës.



Më 23 korrik 2018, ai urdhëroi ngritjen e një grupi pune për kontrollin e arkivës së Prokurorisë. Gjatë verifikimeve u konstatuan fashikuj penalë të humbur dhe ndërhyrje në disa dosje, çka çoi në regjistrimin e procedimit penal nr. 2132/2018 për “Zhdukjen ose humbjen e fashikullit”.
Në këtë procedim u përfshi më pas edhe një material i Prokurorisë së Përgjithshme, i ardhur pas denoncimit të një qytetari anonim dhe që lidhej me dosje të vlerësimit profesional të Vatë Stakës, në atë kohë prokuror në Shkodër.
Në shkurt 2019 u regjistrua edhe procedimi nr. 168/2019, për një tjetër fashikull të humbur. Dy procedimet u bashkuan dhe hetimi vijoi me nr. 2132/2018. Në hetimin e bashkuar u përfshinë edhe pretendimet për falsifikim të akteve procedurale nga Vatë Staka.
Pjetërnikaj sqaron se procedimi u nis prej tij si drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, por hetimi iu ngarkua një prokurori tjetër
Hetimi për pretendimet e falsifikimit u mbyll në shkurt 2020, pasi Gjykata e Shkodrës vendosi pushimin e procedimit penal.
Pjetërnikaj kërkon përjashtimin e Vatë Stakës nga gara për Kryeprokuror. Çfarë parashikon ligji për konfliktin e interest?
Kandidati për Prokuror të Përgjithshëm, Ylli Pjetërnikaj, e mbështet kërkesën për përjashtimin e anëtarit të KLP-së, Vatë Staka, te dispozitat e ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që rregullojnë konfliktin e interesit dhe papajtueshmërinë e anëtarëve të Këshillit.
Në kërkesën e depozituar në KLP, Pjetërnikaj i referohet nenit 171, sipas të cilit një anëtar që është në dijeni të një konflikti interesi duhet ta deklarojë atë dhe të mos marrë pjesë as në diskutim dhe as në votim për çështjen përkatëse.
Ai mbështetet gjithashtu te neni 174, i cili parashikon heqjen dorë të anëtarit nga një procedim administrativ kur, mes të tjerash, ekzistojnë mosmarrëveshje mes tij dhe subjektit që duhet të vlerësohet apo promovohet.
Ndërsa neni 175 parashikon mundësinë që subjekti të kërkojë përjashtimin e anëtarit të Këshillit në rastet kur ekziston një nga shkaqet e parashikuara nga ligji dhe anëtari nuk heq dorë vetë nga shqyrtimi i çështjes.
Më tej Pjetërnikaj argumenton se përfshirja e tij në nisjen e procedimit penal të vitit 2018, ku u hetuan edhe pretendimet për falsifikim të akteve procedurale nga Vatë Staka, ka krijuar mes tyre një marrëdhënie kundërshtuese. Për këtë arsye, ai vlerëson se Staka ndodhet sot në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk duhet të marrë pjesë në vlerësimin dhe votimin e kandidaturës së tij për Prokuror të Përgjithshëm.


