“Duhet të promovoj këngën në Instagram”/ Dhunoi gjyshen e saj, artistja i kërkon lirimin nga burgu gjyqtares

Showbiz

“Duhet të promovoj këngën në Instagram”/ Dhunoi

Një kërkesë e pazakontë është bërë gjatë një seance gjyqësore në Milano, ku një këngëtare 26-vjeçare ka kërkuar të lirohet nga qelia, duke argumentuar se kishte një detyrim të rëndësishëm profesional: promovimin e këngës së saj të re në rrjetet sociale.

Emanuela Maria Lamedica, e njohur artistikisht si Lamedica, ishte arrestuar pas kallëzimit të bërë nga gjyshja e saj, ndërsa ndaj saj rëndojnë akuza për keqtrajtim dhe ofendime verbale.

Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, artistja iu drejtua gjyqtares Chiara Valori, duke kërkuar që të kthehej në shtëpi pasi kënga e saj e re, “Maniere forti”, do të publikohej në Spotify dhe ajo duhej ta promovonte në Instagram.

“Duhet të publikoj në Instagram për të promovuar këngën time”, mësohet të ketë thënë 26-vjeçarja.

Kërkesa e pazakontë shkaktoi reagime në sallën e gjyqit, ndërsa gjyqtarja e vlerësoi çështjen mbi bazën e rrethanave ligjore dhe jo të angazhimeve të saj artistike.

Sipas mbrojtjes, çështja lidhet me sjellje abuzive dhe fyerje verbale ndaj gjyshes së saj. Avokatja e Lamedicës ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një sulm fizik ndaj të moshuarës.

Gjatë seancës, këngëtarja foli edhe për kushtet në qelinë e burgut San Vittore, ku kishte kaluar natën pas arrestimit.

Megjithatë, ajo këmbënguli për rëndësinë e promovimit të projektit të saj të ri muzikor, duke theksuar se kënga “Maniere forti” ishte pjesë e aktivitetit të saj artistik, pas publikimit të këngës “Barbie nel ghetto”.

Në përfundim të seancës, gjyqtarja Chiara Valori vendosi lirimin e 26-vjeçares nga burgu, por i caktoi masa kufizuese.

Lamedica do të monitorohet përmes një byzylyku elektronik dhe i është ndaluar kontakti me gjyshen e saj, e cila konsiderohet palë e dëmtuar në çështje.

Pas lirimit, këngëtarja iu rikthye rrjeteve sociale, duke publikuar materiale për promovimin e këngës së re. Në një prej postimeve, ajo u bëri thirrje ndjekësve që ta dëgjonin dhe shpërndanin këngën.

“Ndajeni me të gjithë, veçanërisht me armiqtë e mi”, shkroi ajo në Instagram.

ME TE LEXUARAT