“Gjurmoni numrat e telefonit që kanë qenë aty”, eksperti i mjedisit nxjerr foton flagrante: A ishte i qëllimshëm zjarri në Lurë?

Aktualitet

“Gjurmoni numrat e telefonit që kanë qenë aty”,

TIRANË- Eksperti i mjedisit, Abdulla Diku, ka denoncuar zjarrvënien e qëllimshme që sipas tij i është bërë zonës së mbrojtur të Lurës. Teksa ndan një foto në rrjetet sociale, të mënyrë se si ka nisur zjarri në një prej zonave të Parkut, Diku shprehet se të gjitha të dhënat flasin për zjarr të qëllimshëm, dhe autoritetet përmes marrjes së të dhënave mund të dalin në një konkluzion të plotë mbi rastin.

POSTIMI I PLOTË

A është ky zjarr i qëllimshëm në Lurë?!

Nga disa foto që qarkullojnë në media, për zjarret në Lurë, veçova këtë.

Modeli hapësinor i vatrave të dukshme në shpat ngre dyshime të arsyeshme për më shumë se një pikë origjine.

Nëse pikat e ndezjes ndjekin përafërsisht të njëjtën kuotë, kjo mund të përkojë me një linjë aksesi njerëzor si; shteg, rrugë, kalim blegtorie përgjat shpatit. Në hetimin e zjarreve do të ishte me shumë interes të kontrollohej pikërisht nëse përgjatë këtij brezi ekziston një rrugë ose shteg i tillë.

Në fotografi dallohen disa zona aktive që prodhojnë kolona tymi relativisht të veçuara. Ato nuk paraqiten thjesht si një front i vazhdueshëm që ka avancuar në drejtimin e pjerrësisë, por si vatra të shpërndara përgjatë një brezi afërsisht transversal të shpatit.

Ky është një element me rëndësi në hetimin e origjinës së zjarrit. Nëse këto vatra kanë filluar pothuajse njëkohësisht dhe midis tyre fillimisht ka pasur biomasë të padjegur, atëherë kemi një konfigurim që kërkon shpjegim. Një zjarr i nisur nga një pikë e vetme zakonisht zhvillon një model përhapjeje të lidhur me pikën e origjinës, të modifikuar më pas nga pjerrësia, era dhe heterogjeniteti i vegjetacionit.

Ky dyshim përforcohet nëse konfirmohet se vatrat janë shfaqur në një interval të shkurtër kohor dhe se era frynte nga poshtë drejt lartësive (siç duket në foto).

Në këto kushte, si efekti i pjerrësisë ashtu edhe ai i erës do të favorizonin avancimin e zjarrit përpjetë, ndërsa do ta bënin më pak të pritshëm krijimin natyror të disa vatrave të ndara në të njëjtën kuotë ose në drejtim të kundërt me erën, dhe duke zbritur poshtë shpatit.

Megjithatë, përcaktimi i zjarrvënies së qëllimshme kërkon verifikimin në terren të pikave të origjinës, kronologjisë së ndezjes dhe përjashtimin e mekanizmave të tjerë të përhapjes, përfshirë krijimin e vatrave dytësore të zjarrit përpara ose larg frontit kryesor, pa qenë e nevojshme që flaka të ketë përshkuar fizikisht gjithë hapësirën ndërmjet tyre.

Sot mund të përftohen të dhënat meteorologjike për çdo pjesë të vendit, ndaj raste të tilla nuk është dhe aq e vështirë të përcaktohen si zjarre të qëllimshme apo jo. nëse kombinohet edhe me gjurmimin e numrave te telefonit që kan qenë në zonë aty, përfundimi del akoma me i saktë.

Vatrat e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës, që nisën 3 ditë më parë vijojnë që të jenë aktive.

Deri tani si pasojë e zjarrit janë djegur mbi 300 hektarë pyje me bredh dhe kullota.

Edhe ditën e sotme janë mbi 250 forca të Bashkisë, emergjencave civile, zjarrfikës dhe një kompani prej 4 ushtarë, por ende nuk është bërë e mundur vënia nën kontroll e flakëve, raporton gazetari i Klan Neës Neki Feta.

Për 3 ditë në ndihmë të tyre kanë qenë 2 avionë dhe 2 helikopter, por pa mundur ta shuajnë. Zjarri ka përfshirë kurorën e Lurës nga Borje Lura, majën e Runjës, Livadhet e Stafës dhe po del në Lanë Lurë./SHEKULLI

ME TE LEXUARAT