Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e vëllait të Suel Çelës edhe Sergej Hasanpapajt, mbeten në burg

Aktualitet

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e vëllait të Suel

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin për ndryshimin të masës së sigurisë “arrest me burg” të Mario Çelës, vëllai i kreut të bandës së Elbasanit Suel Çela dhe të të Sergej Hasanpapaj. Vendimi është marrë në dhomë këshillimi nga treshja gjykuese Ilir Panda, Albana Boksi dhe Genti Shala.

Mario Çela u arrestua disa kohë më parë në Belgjikë me kërkesë të SPAK nga ku dhe u ekstradua drejt Shqipërisë. Ai akuzohet për veprat penale ”Organizata kriminale”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Korrupsioni aktiv ne sektorin privat".

Sipas SPAK, Mario Çela është përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, pjesë e grupit të organizuar të vëllait Suel Çela, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave.

Sergej Hasanpapaj u ekstradua në shkurt nga Belgjia i akuzuar për vrasjen e Bledar Muçës, ngjarje e ndodhur në vitin 2022 në Belgjikë. Hasanpapaj u arrestua po atë vit në Belgjikë ndërsa njihet si mik i familjes Çapja dhe i përfshirë në një ngjarjesh kriminale në Elbasan.

32-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi GJKKO i caktoi në vitin 2024  masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe kryer në kuadër të organizatës kriminale, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Mario Çela dhe Sergej Hasanpapaj po gjykohen nga GJKKO me 19 të pandehur të tjerë, si pjesë e grupit kriminal të Suel Çelës.

Sipas SPAK, nga grupi kriminal i Suel Çelës ka patur tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020. Po ashtu, është tentuar trafikimin e 466 kilogramë të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.

ME TE LEXUARAT