Goditet rrjeti i kokainës në Itali, arrestohen dy të rinj shqiptarë

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, nën dyshimin se ishin pjesë e një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.
Operacioni u zhvillua gjatë natës pas disa ditësh monitorimi të lëvizjeve të të rinjve.
Ata u ndoqën deri në një zonë periferike të qytetit, ku u panë duke marrë një sasi të dyshuar lëndë narkotike, veprim që çoi menjëherë në ndërhyrjen e policisë.
Gjatë kontrollit në automjet, autoritetet gjetën rreth 50 doza kokaine të gatshme për shitje.
Kontrolli vijoi edhe në banesën e tyre, ku u sekuestruan sasi të tjera lëndë narkotike, pajisje për peshimin dhe paketimin e saj, si dhe 4 mijë euro para të gatshme, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Në total, policia raportoi sekuestrimin e rreth 200 gramë kokainë, me një vlerë tregu mbi 10 mijë euro.
Me urdhër të Prokurorisë Publike në Ankona, dy të rinjtë u arrestuan në flagrancë dhe u dërguan në burgun e Montacuto, ku do të qëndrojnë për llogari të drejtësisë italiane.


