Grupet kriminale shqiptare në gjithë botën: Belgjika kryeson kërkesat për hetime ndaj SPAK

Aktualitet

Grupet kriminale shqiptare në gjithë botën: Belgjika kryeson

95 kërkesa zyrtare nga autoritetet e huaja iu drejtuan Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2025, për shqiptarë të përfshirë në grupe kriminale jashtë territorit të vendit tonë. Janë 25 letër porosi më shumë, krahasuar me vitin 2024.

Shifra në rritje e këtyre kërkesave mbi nevojën për më shumë informacione në territorin shqiptar mbi hetimet që autoritet e huaja kryejnë ndaj shqiptarëve të përfshirë në krime jashtë vendit, lidhet edhe me zgjerimin e hartës ku këto grupe po veprojnë, deri në Amerikën Latine, sidomos në trafikun e kokainës.

Nga këto, 68 kërkesa u ekzekutuan, ndërsa 27 të tjera vijojnë të jenë në proces, kryesisht për shkak të kompleksitetit hetimor dhe numrit të madh të veprimeve që kërkohen.

Sipas raportit të SPAK për vitin 2025, partneri më aktiv rezulton Belgjika, me 24 kërkesa në total, që përbëjnë më shumë se një të katërtën e të gjitha letërporosive të ardhura nga jashtë. Jo më kot, pasi rrjetet e fuqishme të trafikut të kokainës nga Amerika Latine zbarkojnë në portet belge, një pjesë e madhe e tyre të udhëhequra nga shqiptarë.

Pas Belgjikës renditen Gjermania me 16 kërkesa, Italia me 15, Franca me 10, ndërsa Anglia dhe Holanda dërguan nga 5 kërkesa secila. Në listë vijojnë Spanja me 4 kërkesa, Kosova me 3, ndërsa SHBA, Rumania dhe Greqia me nga 2 kërkesa secila. Nga 1 kërkesë mbërriti edhe nga Norvegjia, Suedia, Maqedonia e Veriut, Luksemburgu, Bullgaria dhe Çekia.

Një volum më i ulët letërporosish, shihet nga SPAK drejt partnerëve ndërkombëtarë, në kuadër të hetimeve për grupe kriminale shqiptare jashtë vendit.

Gjatë vitit 2025, prokurorët e posaçëm dërguan 156 letërporosi nga 163 që ishin në 2024, drejt vendeve partnere. Nga ky total, më shumë se një e treta janë ekzekutuar, ndërsa të tjerat janë ende në proces. Numrin më të madh të kërkesave nga SPAK e mban Franca, me 55 letërporosi, shteti me të cilin është bashkëpunuar ngushtësisht për zbërthimin e komunikimeve të platformës së koduar “SkyECC”, të cilat luajtën rol kyç në goditjen e disa organizatave kriminale. 

Pas Francës renditen Holanda me 12 kërkesa, Italia me 8, Kosova me 7, ndërsa Belgjika, Greqia dhe Zvicra morën nga 6 kërkesa secila.

Në vijim, SPAK kërkoi ndihmë edhe nga Gjermania, Mali i Zi, Ekuadori dhe Spanja me nga 5 kërkesa, ndërsa SHBA, Anglia dhe Brazili me nga 4. Austria dhe Kolumbia morën nga 3 kërkesa, ndërsa Sllovakia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia me nga 2. Nga 1 letërporosi u dërguan edhe drejt Danimarkës, Bullgarisë, Portugalisë, Serbisë, Çekisë, Luksemburgut, Polonisë, Qipros, Republikës Domenikane, Kanadasë, Perusë dhe Paraguait./shqiptarja

ME TE LEXUARAT