Himarë/ Policia shpëton turisten çeke të bllokuar në terren të thepisur në Gjirin e Filikurit
Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, i erdhi në ndihmë një turisteje çeke e cila mbeti e bllokuar në një zonë të thepisur në vendin e quajtur “Filikurë”.
Sot, pas marrjes së njoftimit se turisteja ishte rrëzuar gjatë zbritjes me litar në terren shkëmbor dhe kërkonte ndihmë, shërbimet e patrullës së Rendit dhe të Policisë Kufitare organizuan operacionin menjëherë.
Turistja u lokalizua dhe u zbrit me siguri nga shkëmbinjtë, më pas u transportua me mjet lundrues drejt portit të Himarës dhe më pas në qendrën shëndetësore, ku gjendet jashtë rrezikut për jetën.
Policia apelon që vizitorët dhe pushuesit të tregojnë kujdes maksimal gjatë eksplorimeve në terrene të vështira dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre.