Hyri për të vjedhur, 36-vjeçari shqiptar vritet nga pronari i shtëpisë në Itali

Një 35-vjeçar italian ka qëlluar me armë zjarri dhe ka vrarë një prej grabitësve që kishte hyrë në oborrin e banesës së tij në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur pronari dëgjoi zhurma jashtë banesës dhe doli për të parë se çfarë po ndodhte, duke marrë me vete një pistoletë të cilën e kishte të regjistruar ligjërisht.
Sipas informacioneve paraprake të hetuesve, në oborr ndodheshin të paktën pesë persona. Pronari qëlloi në drejtim të tyre dhe një prej plumbave goditi një 36-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Torino, sipas mediave vendase.
I plagosuri u gjet rëndë në tokë dhe, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve mjekësore, nuk mundi të mbijetonte. Pjesëtarët e tjerë të grupit u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Pas të shtënave, 35-vjeçari telefonoi menjëherë policinë dhe kërkoi ndihmë. Në vendngjarje mbërritën karabinierët dhe ekipet e urgjencës, ndërsa hetuesit nisën punën për të rindërtuar moment pas momenti atë që ndodhi.
Pronari është aktualisht nën hetim, në gjendje të lirë, për veprën penale të vrasjes, ndërsa banesa është sekuestruar për nevojat e hetimit.


