I dënuar për “Masakrën e Qafë Gjashtës”, Gjykata e Lartë shuan dënimin për 55-vjeçarin (EMRI)

Aktualitet

I dënuar për “Masakrën e Qafë Gjashtës”,

Gjykata e Lartë, pas një kalvari dyvjeçar procesesh në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ka vendosur të shuajë dënimin me 15 vjet burg për 55-vjeçarin nga Saranda, Alqi Paguni, i dënuar për “Masakrën e Qafë Gjashtës”, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë, Gjergj Mehmeti.

Vendimi mësohet se është marrë dy muaj më parë, por është zbardhur ditët e fundit. Gjykata e Lartë ka vendosur se dënimi prej 15 vitesh burg, i dhënë më 11 maj 2011 nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe i bërë i formës së prerë pas vendimit të Gjykatës së Lartë më 13 mars 2014, është parashkruar dhe, si rrjedhojë, Alqi Paguni tashmë është i lirë.

E vetmja anëtare e trupit gjykues që ka votuar kundër këtij vendimi është Albana Boksi. Sipas saj, “në rastin konkret ka një dënim të përcaktuar me 15 vjet burgim. Dënimi në këtë rast nuk është gjer në 15 vjet burgim, por është i përcaktuar saktë 15 vjet burgim dhe, në kushtet kur është i përcaktuar si 15 vjet burgim, ai përfshihet te shkronja ‘a’ e nenit 68 të KP, e cila përcakton afatin 20-vjeçar për vendimin që përmban dënim me 15 vjet. Nëse dënimi do të ishte 15 vjet pa 1 (një) ditë, atëherë për këtë dënim do të zbatohej afati 10-vjeçar i parashkrimit, i parashikuar nga shkronja ‘b’ e nenit 68 të KP”.

Alqi Paguni iu nënshtrua një kalvari procesesh në të treja shkallët e gjyqësorit. Fillimisht, në vitin 2024, Gjykata e Sarandës e pranoi kërkesën e tij për parashkrimin e dënimit. Pas apelimit nga Prokuroria, Gjykata e Apelit, në vitin 2025, e rrëzoi kërkesën.

Çdo gjë lidhej me interpretimin nëse dënimi kërkonte 10 apo 20 vjet për t’u parashkruar, duke pasur si thelb togfjalëshin “deri në 15 vjet burgim”, pasi sipas Kodit Penal, dënimet deri në 15 vjet burg kërkojnë 10 vjet për t’u parashkruar, ndërsa dënimet nga 15 deri në 25 vjet burgim kërkojnë 20 vjet për t’u parashkruar.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë duket se i hap rrugë parashkrimit të dënimit edhe për një tjetër të dënuar të “Masakrës së Qafë Gjashtës”. Bëhet fjalë për 56-vjeçarin Aleksandër Bala, edhe ai i dënuar me 15 vjet burg.

Gjykata e Sarandës mbajti dy qëndrime të ndryshme gjatë shqyrtimit të kërkesave, duke pranuar parashkrimin për Alqi Pagunin në dhjetor 2024 dhe duke e rrëzuar për Aleksandër Balën në prill 2025, edhe pse të dënuar me të njëjtën periudhë dhe në të njëjtën kohë. Nuk dihet nëse Bala e ka apeluar apo ka bërë rekurs për vendimin e Gjykatës së Sarandës që rrëzoi kërkesën e tij.

I fundit i dënuar me 15 vjet burg për këtë çështje është edhe 64-vjeçari Mikel Kendezi alias Flamur Kendezi alias Vladimir Kendezi, i njohur në Greqi me pseudonimin “Papai”, për të cilin nuk ka informacion nëse ka kërkuar parashkrim të dënimit. Dy të kërkuarit e tjerë të kësaj dosjeje kanë dënime prej 16 vjetësh burg dhe dënimet e tyre parashkruhen në vitin 2034.

Alqi Paguni, pronar i një karburanti në Sarandë, u arrestua nga policia në nëntor 2007 pas një operacioni të madh për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për autorët e “Masakrës së Qafë Gjashtës”. Ata akuzoheshin se më 4 mars 1997 vranë dhe dogjën oficerin e policisë Gjergj Mehmeti, mbajtën peng dhe torturuan oficerin Eduard Aliaj dhe tentuan të vrisnin oficerët e policisë Sokol Bizhga dhe Myzafer Blushi.

Për ngjarjen në fjalë u arrestuan Vladimir dhe Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Cipa dhe Edmond Sejko, ndërsa shumë të tjerë u shpallën në kërkim. Nga të gjithë të akuzuarit, vetëm vëllezërit Sinani e kryen dënimin dhe tashmë kanë dalë nga burgu, pasi Cipa u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, ndërsa Sejko u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, për Alqi Pagunin, dy shkallët e para të Krimeve të Rënda dhanë fillimisht masën “arrest në burg”, ndërsa më 13.02.2008 Gjykata e Lartë e la atë të lirë, duke e cilësuar të paligjshëm ndalimin e tij dhe pa caktuar fare masë sigurimi. Kjo i hapi rrugë arratisjes së Pagunit drejt Greqisë, duke bërë që gjyqi ndaj tij të zhvillohej në mungesë dhe, pas dënimit, ai të shpallej në kërkim.

Në tetor 2011, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dha këto dënime përfundimtare, të cilat morën formë të prerë në mars 2014:

Vladimir Sinani – 18 vjet burg
(Tashmë e ka kryer dënimin)

Nestor Sinani – 15 vjet burg
(Tashmë e ka kryer dënimin)

Alqi Paguni – 15 vjet burg
(Në kërkim)

Edmond Sejko – 6 vjet burg
(Tashmë e ka kryer dënimin)

Mikel alias Flamur alias Vladimir Kendezi – 15 vjet burg
(Në kërkim)

Arben Kendezi – 16 vjet burg
(Në kërkim)

Agron Qurku – 16 vjet burg
(Në kërkim)

Aleksandër Bala – 15 vjet burg
(Në kërkim)

Vlen të theksohet se të gjithë personat në kërkim janë arrestuar në kohë të ndryshme nga policia greke, por gjykatat e këtij shteti nuk kanë pranuar t’i ekstradojnë.

Në rastin e Aleksandër Balës, “Këshilli i Gjykatës së Apelit të Pireut ka refuzuar ekstradimin pasi, sipas tyre, ekzistonte mundësia që ai të përndiqej nga shteti shqiptar edhe për një vepër tjetër penale, të ndryshme nga ato për të cilat kërkohej ekstradimi dhe që lidhej me veprimtarinë nacionale apo fetare që Aleksandër Bala zhvilloi përgjatë trazirave të viteve 1997-1998 për ruajtjen e anëtarëve homogjenë dhe të krishterë në Shqipëri”.

Mes të kërkuarve që nuk janë ekstraduar është edhe Agron Qurku, i cili, veç “Masakrës së Qafë Gjashtës”, është dënuar edhe për vjedhje bankash, plagosje, rrëmbim etj.

ME TE LEXUARAT