I ekstraduar nga Britania për kultivimin e 870 kg kanabisi në Berat, GJKKO lë në burg 31-vjeçarin(EMRI)

Aktualitet

I ekstraduar nga Britania për kultivimin e 870 kg kanabisi në Berat,

Gjykata e Posaçme ka vendosur vijimin e masës së sigurisë caktuar në mungesë ndaj 31 vjeçarit të ekstraduar së fundmi nga Britania, Xhuliano Hoxha, nën akuzë si pjesë e grupit kriminal që kultivoi 870 kg kanabis në Dronovicë të Beratit, teksa operacioni u krye që në nëntor të 2022.

Para gjyqtarit Bib Ndreca dhe Prokurores Eëida Kaçkini, Hoxha nuk ka paraqitur asnjë pretendim në gjykatë, teksa u mbrojt nga avokati i caktuar nga shteti Arben Peçi.

Hoxha u prangos në Angli në tetor të vitit të shkuar, ndërsa prillin e kaluar GJKKO i kishte caktuar edhe masën e arrestit me burg.

Gjatë operacionit, u ndaluan 105 persona, ku 95 ndër to ishin gra që ishin punësuar për të pastruar lëndën hashashim. Sera ishte në pronësi të Hamdi Dylit, e cila ishte ndarë në 4 pjesë, secila me një sipërfaqe prej 2 dynym. 11 persona u vunë në pranga, ndërsa nën hetim u vunë edhe 57 efektivë të policisë së Beratit, mes tyre edhe drejtues të lartë. 7 punonjës u përjashtuan përjetësisht nga radhët e bluve.

Prokuroria e Beratit shpalli moskompetencë dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut, duke thënë se aktiviteti drejtohej nga 2 grupe kriminale. GJKKO ka dënuar para disa muajsh me 111 vite e 8 muaj burg 17 persona ku më i larti ishte për 2 drejtuesit e grupit kriminal, Sadetin Hasajn dhe Blerim Xhekën, të cilët janë dënuar me nga 8 vite e 8 muaj burgim.

ME TE LEXUARAT