Ishte zënë me vëllanë dhe mbante pushkë me vete, arrestohet i riu në Vlorë

Mbante armë zjarri (pushkë) në një ambient në përdorim të tij, arrestohet në flagrancë 29-vjeçari
Specialistët e Stacionit të Policisë Selenicë, të Komisariatit të Policisë Vlorë, goditën një rast të armëmbajtjes pa leje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient në përdorim të shtetasit A. F., 29 vjeç, banues në fshatin Lezhan, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan më cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pushkë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas kishte pasur më parë konflikt fizik me vëllanë e tij, shtetasin G. F., 37 vjeç.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Dhuna në familje”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.