Kompensimi për fëmijët nga DIVA/ Tatimet pyetësor online për verifikimin e kushteve të përfitimit

Administrata Tatimore njoftoi se ka vënë në dispozicion një shërbim të ri në web, i cili ju ndihmon të verifikoni nëse përfitoni rimbursim për fëmijët në ngarkim nën 18 vjeç dhe për shpenzimet arsimore.
Tatimet sqarojnë se përmes një pyetësori të shkurtër dhe të thjeshtë individët e interesuar, mund të marrin menjëherë një përgjigje orientuese nëse plotësojnë kushtet për përfitim. Për individët që do të rezultojnë përfitues, më tej duhet të aplikojnë për rimbursim, nëpërmjet një kërkesë që plotësohet në e-Filing. Afati për plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2025 është brenda datës 31 mars 2026.
PYETËSORI I TATIMEVE PËR VERIFIKIMIN E KUSHTEVE TË PËRFITIMIT TË KOMPENSIMIT
A përfitoj rimbursim për numrin e fëmijëve dhe shpenzimet arsimore në deklaratën DIVA-2025?
A keni fëmijë në ngarkim nën moshën 18 vjeç? Po Jo
A jeni familjari me të ardhurat më të larta në familje? Po Jo
Sa është totali i të ardhurave bruto vjetore nga të gjitha burimet për vitin 2025?
Më pak se 1 200 000 lekëMë shumë ose baraz me 1 200 000 lekë
Ju përfitoni zbritje për numrin e fëmijëve, por jo për arsimimin e tyre. A rezultoni me tepricë kreditore pas plotësimit të DIVA? Po Jo
Pas përfundimit të plotësimit të pyetesorit, nëse individi përmbush kushtet për rimbursim tatimet vijojnë me sqarimin e procedurave për rimbursimin:
Kompensim përmes DIVA, përfiton çdo individ që ka fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç, por që pas plotësimit dhe dorëzimit të DIVA-s, rezulton me tatim të mbipaguar. Sistemi në deklaratën DIVA llogarit automatikisht se sa është tatim i mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve me vlerë 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim mbi bazën e tatueshme që janë të ardhurat bruto vjetore dhe zbritje shpenzimesh me vlerë 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë nën 1.2 mln lekë.
Nëse rezulton me tatim të mbipaguar, kompensimi do të përfitohet në llogarinë e deklaruesit pasi ka bërë aplikimin në e-Tax.
Bazuar në disa shembuj të publikuar nga “Monitor” kompensimit ndryshon në varësi të të ardhurave vjetore dhe shuma e zbritur e shpenzimeve që ndryshon sipas numrit të fëmijëve në ngarkim, përfshirë edhe shpenzimet fikse për arsim me vlerë maksimale 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë nën 1.2 mln lekë në vit.
Për rastin me të ardhura bruto vjetore mbi 1,2 mln lekë në vit me 1 fëmijë në ngarkim, kompensimi për arsimin llogaritet 62 euro në vit. Në rastin e individit më të ardhura mbi 2 mln lekë në vit me dy fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç, pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët me vlerë 96 mijë lekë, tatimi i mbipaguar apo kompensimi është në vlerën e rreth 12 mijë lekëve.
Për individët që paguhen mbi 200 mijë lekë në muaj dhe i kap tatimi prej 23%, kompensimi është 11,040 lekë për fëmijë. Shuma maksimale e kompensimit e përfituar sipas shembujve rezulton për individët me të ardhura nën 1,2 mln lekë që përfitojnë edhe shpenzimet për fëmijët në ngarkim dhe për arsimin me vlerë 100,000 lekë. Për këtë kategori kompensimi arrin 250 euro.Por përveç individëve që kanë në ngarkim fëmijë nën 18 vjeç dhe përfitojnë zbritjen prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë si edhe deri në 100 mijë lekë për shpenzimet arsimore, kompensim do të përfitojnë edhe ata individë që nuk kanë fëmijë në ngarkim, por që nga rillogaritja vjetore e tatimit rezultojnë me mbipagesë. Me qëllim përfitimin e kompensimit për arsimin e fëmijëve DIVA mund të plotësohet edhe nëse nuk ke detyrimin, pra edhe nga individë me të ardhura nën 1.2 mln lekë në vit.
Kompensimi për fëmijët do të përfitohet nga individët që do të dalin me tatim të mbipaguar, pra nga rillogaritja e tatimit pas zbritjes së shpenzimeve nga baza e tatueshme. Diferenca e tatimit vjetor të paguar gjatë 2025, nga rillogaritja e tatimit, pas zbritjes së bazës sëtatueshme të shpenzimeve 48 mijë lekë në vit, pavarësisht nivelit të ardhurave dhe 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë deri në 1,2 mln lekë, do jepet si kompensim për fëmijët.Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi. Sistemi e-Tax, e llogarit automatikisht vlerën e kompensimit, pasi bëhet deklarimi I të ardhurave, edhe për ata individë që se kanë detyrimin ta bëjnë. Në total administrata tatimore llogarit se fondi për kompensimin do të jetë me vlerë mbi 15 mln Euro./ Monitor


