Konflikt në Vlorë, ukrainasja akuzon një çift shqiptar: Përplasja nisi për qenin e vogël

Aktualitet

Konflikt në Vlorë, ukrainasja akuzon një çift shqiptar:

Një grua me shtetësi ukrainase, që sipas saj jeton prej katër vitesh në Shqipëri, ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania për të denoncuar një incident në pallatin ku banon me qira në Vlorë. Ajo thotë se përplasja nisi për shkak të qenit të saj të vogël dhe më pas u kthye në sharje, kontakt fizik dhe pretendime për dhunë ndaj kafshës.

Sipas saj, ngjarja ka ndodhur rreth dy muaj më parë në hyrje të pallatit ku jeton me bashkëshortin. Denoncuesja pretendon se konflikti filloi në momentin kur një grua shqiptare nuk pranoi të hynte në ashensor për shkak të qenit, duke thënë se kishte alergji ndaj qenve.

Në videon që shtetasja ukrainase i ka dërguar redaksisë dhe që është filmuar prej saj, dëgjohet një debat verbal mes çiftit ukrainas dhe një çifti shqiptar. Në pamje, gruaja shqiptare dëgjohet duke thënë se qentë nuk lejohen në ambientet e përbashkëta dhe se ajo është alergjike ndaj tyre, ndërsa më tej debati ashpërsohet nga të dyja palët.

Denoncuesja shprehet se, pas përplasjes së parë, çifti shqiptar ka shkuar te dera e apartamentit të saj dhe debati ka vazhduar në korridorin e pallatit. Në video dëgjohen sharje dhe akuza të ndërsjella në gjuhë të ndryshme, ndërsa në disa çaste situata duket se kalon edhe në përplasje fizike mes të përfshirëve.

Ajo pretendon gjithashtu se gjatë konfliktit burri shqiptar e ka goditur me shkelm qenin e saj të vogël, duke thënë se ky moment shihet edhe në video. Po sipas saj, gjatë incidentit është tentuar edhe t’i merret telefoni me të cilin po regjistronte ngjarjen.

Në denoncimin e bërë, gruaja ukrainase thotë se rasti është kallëzuar në polici, por pretendon se deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete. Ajo shpreh edhe shqetësimin se një fqinj tjetër ka vendosur kamera monitorimi përballë banesës së saj dhe se prej kohësh, sipas saj, përballet me ankesa të vazhdueshme për praninë e qenit në pallat.

Në komunikimet me redaksinë, denoncuesja hedh poshtë pretendimin e fqinjës për alergji ndaj qenve. Ajo deklaron se në të njëjtin pallat ka edhe kafshë të tjera shtëpiake dhe se qeni i saj i ka të gjitha dokumentet dhe vaksinat përkatëse.

JOQ Albania thekson se bëhet fjalë për pretendime të denoncueses, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga redaksia. Duke qenë se videoja paraqet vetëm një pjesë të episodit dhe nuk pasqyron të gjitha rrethanat e konfliktit, redaksia thotë se nuk mund të përcaktojë përgjegjësitë e secilës palë.

Redaksia shprehet se mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim apo version të ngjarjes nga çifti shqiptar i përfshirë në konflikt, si edhe nga autoritetet përkatëse, me qëllim pasqyrimin sa më të plotë dhe të balancuar të rastit.

 

ME TE LEXUARAT