“Ky ka marrë fund, do ta rrëzojmë”/ Protestuesja me fëmijë: I kanë dosjet në SPAK, të futen në burg çfarë po presin

Aktualitet

“Ky ka marrë fund, do ta rrëzojmë”/ Protestuesja me

Protestuesja me fëmijë që u bë virale ditë më parë është rikthyer sërish në sheshin e protestës dhe këtë herë para Policisë së Tiranës, ku shkak u bë arrestimi dhe tërheqja zvarrë e aktivistëve para Kuvendit dhe mbyllja nëpër komisariate.

E indinjuar, teksa ishte e ulur bashkë me të tjerët në mes të rrugës, ajo tha se politikanët e kishin vendin në burg, pasi edhe SPAK i ka dosjet e tyre. Sipas saj, kryeministri Edi Rama duhet të ishte dorëhequr pas një muaji proteste në një vend demokratik dhe evropian.

“Të rrëzohen ata se na lodhën, protesta është ajo para Parlamentit. Kemi 30 ditë dhe ata nuk dëgjojnë. Nuk i duam më, duhet të ikin, ikni. Duhet të futen ata në burg, i kanë dosjet e hapura, i ka SPAK dosjet të gjitha, do presim ata ne. Unë do ia dal, do shes veten për këtë fëmijë, po pse të strapasohem në një vend demokratik.

Kryeministri nuk jep dorëheqjen për 30 ditë, në një vend demokratik dhe evropian, nuk e kupton që ne do e rrëzojmë, ndaç me dhunë ndaç me protestë, ky ka marrë fund, do ta rrëzojmë”, tha ajo mes të tjerash.

Në fund qytetarja teksa mbante fëmijën e saj të mitur në krah, deklaroi se edhe sikur t’i duhej të vdiste nuk do e ndalte protestën e saj deri në rrëzimin e qeverisë.

“Unë do vdes, por ky duhet të iki. Në 2026 dhe ne vuajmë për bukën e gojës, nuk ka kuptim, ky duhet të iki”, përfundoi ajo.

ME TE LEXUARAT