Mbi 30 plumba drejt makinës/ Detajet e atentatit në Lezhë, autorët vepruan me dy automjete

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati mafioz i ndodhur të dielën në Balldren të Lezhës, ku mbetën të vrarë brenda automjetit Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij. Sipas burimeve hetimore, drejt mjetit janë qëlluar mbi 30 plumba, çka tregon për një ekzekutim të mirëorganizuar.
Dyshohet se autorët kanë vepruar me dy automjete dhe i kanë zënë pritë 39-vjeçarit vetëm pak minuta larg banesës së tij, teksa ai po lëvizte në rrugën që të çon drejt shtëpisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, ngjarja ndodhi rreth orës 14:50, në dalje të fshatit Balldren, në aksin rrugor Balldren-Torovicë. Gjatë lëvizjes, automjeti tip Audi me drejtues shtetasin K.M., 39 vjeç, është qëlluar me armë zjarri. Në mjet ndodhej edhe bashkëshortja e tij, shtetasja G.M., 32 vjeçe, dhe të dy humbën jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e policisë mbërritën në vendngjarje dhe nisën kontrolle intensive në zonë për kapjen e autorëve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor që, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për mbledhjen e provave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kreshnik Mujeci konsiderohej një emër i njohur për policinë. Ai dhe vëllezërit e tij, Lin dhe Jozef Mujeci, janë akuzuar më herët për vrasjen e Gegë Mëhillit, i njohur edhe si Genc Mhillaj apo Gent Pjetri, ngjarje e ndodhur më 6 tetor të vitit 2016. Hetuesit po verifikojnë nëse atentati i sotëm lidhet me konflikte të vjetra apo motive të tjera kriminale.


