Miratohet propozimi i PS, hiqet nga rendi i ditës ndryshimi i formulës së Komisionit të Reformës Territoriale

Projektvendimi për ndryshimin e funksionimit të Komisionit për Reformën Territoriale u tërhoq nga Partia Socialiste. Komisioni mbetet në paritet, bashkëdrejtim dhe me veto. Propozimi u bë mbrëmjen e sotme nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë seancës në Kuvend.
“Nga pika1 e Rregullores, kërkoj një ndryshim në rendin e ditës, për të mos shqyrtuar projektvendimin për ndryshime në vendimin 75, datë 27.10.2025, për ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, në këtë seancë dhe që të mos shqyrtohet”, tha Balla.
Luçiano Boçi gjatë seancës u shpreh se kërkesa e PD ka qenë tërheqja e këtij vendimi dhe jo për shtyrje. Sipas tij tërheqja tregon vullnet.
“Kërkesa jonë ka qenë qartë, është tërheqja e këtij vendimi. Kjo është ajo që kemi kërkuar dhe thënë përgjatë gjithë seancës. Tërheqja tregon vullneti, shtyrja nuk tregon asgjë.
Nëse doni ta lini as mish as peshk, nuk tregon asgjë. Ndajeni ju mendjen. Nuk e kemi treguar gatishmërinë tonë. Ju e mbani peng”, tha Boçi.


