"Mos rrini në kafene": Pensionisti u bën thirrje pensionistëve të tjerë të protestojnë

Një pensionist ka folur gjatë protestës së 14-të të zhvilluar në bulevardin përballë Kryeministrisë, duke akuzuar qeverisjen aktuale për largimin e shqiptarëve nga vendi.
Ai u shpreh se kishte ardhur nga Italia për t’iu bashkuar protestës, ndërsa theksoi se shumë qytetarë të tjerë po i bashkohen tubimit.
Sipas tij, gjendja ekonomike dhe sociale ka detyruar një pjesë të madhe të shqiptarëve të emigrojnë ndër vite.
Ai u bëri thirrje edhe bashkëmoshatarëve të tij që, sipas tij, nuk duhet të qëndrojnë pasive në kafene me pensione të ulëta, por të dalin dhe të protestojnë.
Në deklaratën e tij, pensionisti përdori edhe gjuhë të fortë ndaj politikës dhe figurave kryesore të saj, duke kërkuar përgjegjësi për situatën në vend.

“Jemi larguar nga Shqipëria prej 20 vitesh, kemi emigruar. Dhe shumë të tjerë, në Itali, i ka përzënë ky palaçua këtu që është mbrapa. T’u vijë turp atyre pensionistëve që marrin 100 mijë lekë dhe rrinë në kafene. Kur vjen pensionisti italian, bën plazh, han e pin dhe këta mbledhin kanaçe nëpër kazanë. T’ju vijë turp, mos t’ja ulin vlerat këtij kombi. Shqipëria është e shqiptarëve, këta janë tradhtarët që e kanë lënë kombit tonë në këtë gjendje. Rroftë Shqipëria, rroftë brezi i ri. Burg Rama dhe burg Berisha”