Mposhtën sfidat, çifti me aftësi ndryshe në Fier feston ‘Shën Valentinin’ e 29-të: Mos shikoni dashurinë materialiste, por ....

Aktualitet

Një varëse me perla është dhurata speciale në Shën Valentinit e 29-të të dashurisë sfiduese.

 

Mposhtën sfidat, çifti me aftësi ndryshe në Fier feston

Lindita dhe Gëzim Hoxha nga qyteti i Fierit, të dy me aftësi ndryshe, dhe prindër të dy fëmijëve vazhdojnë ta duan njëri- tjetrin si ditën e parë.

Lindita nuk ka njërën dorë, ndërsa Gëzimi në vogëli ka kaluar një sëmundje që i ka prekur trurin çka i ka lënë vështirësi në të lëvizur dhe në të folur.

"Kemi pasur një koleg. Kishte dëshirë të na bashkonte gjithmonë dhe na e thoshte, por ne i thonim me të qeshur “ik na lër rehat”. Një ditë ai i thotë Gëzimit ty të do Lindita dhe mua më tha ty të do Gëzimi. I thashë mos të më dalë përpara po të më vijë në familje, sepse ishte dhe periudha e vështirë në atë kohë në vitet ’95-’96. Pas 3-4 ditësh Gëzimi vjen bashkë me familjarët në shtëpinë time, ku kërkojnë dorën time dhe çdo gjë brenda 2 javëve mbaroi me fejesën tonë",- thotë Lindita.

Paragjykimet si në shoqëri ashtu edhe në familjen e Gëzimit, ku jetonin së bashku me familjen e tij, kanë qenë sfidat më të mëdha, por ata ja dolën së bashku.

Sot Lindita është mësuese, ndërsa Gëzimi ndihmës operator në Spitalin Rajonal të Fierit, duke u integruar më së miri në shoqëri.

"Kur 2 persona me aftësi të kufizuar jetojnë në një familje, nuk ndihen të barabartë me pjesëtarët e tjerë, sepse familja me dashje apo pa dashje krijon ndonjëherë këto gjëra. Po edhe shoqëria ishte e tillë, paragjykuese. Shpesh thonin fjalën “o za gjynah”. Nuk thonin sa mirë. I kemi ne shqiptarët këto paragjykimet, dhe vazhdojnë sot e kësaj dite|,- thotë Lindita.

Ardhja në jetë e fëmijës së parë, i gëzoi pa masë, por edhe i frikësoi, pasi prindërimi nuk është mision i lehtë për një çift bashkëshortësh me aftësi të kufizuara.

"Mendonim si do ta rrisnim, si do ta edukonim, si do ta shkollonim. Sa do t ëkishim mundësitë për t’i siguruar fëmijës jo një jetesë shumë të mirë,por një jetesë normale. Por ja kemi dalë, dhe tani më duket sikur kemi kaluar një ëndërr të keqe",- thotë Lindita.

Komunikimi i përditshëm dhe i sinqertë, ka qene çelësi i triumfit të marrëdhënies së tyre thotë Lindita.

Apeli i Linditës për gjithë çiftet e reja që i drejtohen dyerve të gjykatave drejt divorcit është të vlerësojnë dashurinë e vërtetë dhe jo atë materialiste.

"Të mos shikonin dashurinë materialiste, por të ndjenin atë forcën e ndjenjës që kanë brenda. Dashurinë e vërtetë",- thotë Lindita./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT