Nafta shtrenjtohet me 6 lekë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, “Konkurrenca”: S’do të tolerohen rritjet

Shqipëria po preket nga Lufta në Lindjen e Mesme. Pasojat ekonomike kanë nisur të reflektohen menjëherë në tregun e hidrokarbureve. Këtë të mërkurë në disa pika karburantesh në Tiranë çmimi ka arritur në 179 lekë litri, nga 173-175 lekë/ litri një ditë më parë.
Autoriteti i Konkurrencës njofton se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim. Në njoftimin e tij, Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti i Konkurrencës njofton se, mbështetur në ligjin nr. 9121/2003, ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.
Bëjmë me dije se, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës. Në rast se vërehen luhatje të çmimeve që tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti, në zbatim të ligjit nr. 9121/2003, do të ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave të tij.
Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë si oferta, kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime të tjera ekonomike apo gjeopolitike. Si rrjedhojë, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që luhatjet e çmimeve në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me masën e ndryshimeve që regjistrohen në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, qoftë edhe rritje e pakoordinuar por më e shpejtë apo më e theksuar se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe asnjë formë të mundshme koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikash të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.
Me këtë proces monitorimi, Autoriteti synon të garantojë transparencë, funksionim të rregullt të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta apo nga sjellje që cenojnë konkurrencën.
Sqarojmë se, në përputhje me misionin dhe kompetencat e përcaktuara për Autoritetin e Konkurrencës, të gjitha monitorimet dhe procedurat e mundshme hetimore kryhen vetëm në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa u ndërthurur me atributet që i përkasin institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend./Shqiptarja


