“Raketat e Iranit arrijnë deri në Athinë e Vjenë”, deklarata e Ministrisë së Jashtme e Izraelit, publikojnë hartën: Kapin të gjithë Ballkanin

Raketat e Iranit kanë një rreze që shtrihet më shumë nga sa mund të mendohej. Zyrtarë izraelitë kanë publikuar një hartë që tregon se raketat e Republikës Islamike mund të arrijnë deri në Europë. Me konfliktin në Lindjen e Mesme që nuk jep shenja qetësimi, është shtuar frika e një zgjerimi të tij.
Ajo që filloi si një valë sulme nga SHBA dhe Izraeli ndaj regjimit të ajatollahëve, tani sipas ekspertëve, është shndërruar në një nga krizat gjeopolitike më serioze të dekadave të fundit, me pasoja që shkojnë përtej kufijve të rajonit. Dhe e rrezikuar nuk është vetëm Lindja e Mesme.
Në një deklaratë të saj, Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit paralajmëroi se aftësitë raketore të Iranit “shtrihen përtej rajonit” dhe përshkroi regjimin në Teheran si një kërcënim në rritje për paqen globale. Një grafik i publikuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Mbrojtje tregon një hartë me rreze goditjeje që variojnë nga 300 deri në 2,500 kilometra, duke përfshirë pjesë të konsiderueshme të Europës Juglindore brenda zonës së mundshme të kërcënimit.
Iran’s ballistic capability spans beyond the Middle East. The Iranian Ayatollah regime is threatening world peace. pic.twitter.com/VKTAmf3Qaq
— Israel Foreign Ministry (@IsraelMFA) March 2, 2026
Raketat balistike me rreze të mesme dhe të gjata, si Shahab-3 dhe Ghadr-110, konsiderohen më të rrezikshmet, pasi mund të arrijnë deri në 2,000 kilometra. Sipas hartës, rreziku përfshin kryeqytete si Athina, Sofja dhe Bukureshti, si dhe qytete të tjera të Ballkanit Perëndimor. Në rrezen më të madhe teorike, mund të përfshihen edhe kryeqytete si Budapesti, Vjena, Varshava dhe Bratislava, duke marrë parasysh distancën maksimale të raketave.
Megjithatë, mjaft analistë të pavarur theksojnë se këto përllogaritje të rrezes së raketave iraniane, janë kryesisht teorike. Aftësia reale operative e raketave varet nga faktorë të tillë si saktësia, kontrolli ajror dhe kushtet taktike, dhe nuk nënkupton se këto destinacione do të goditen automatikisht, shprehen ata.



