Nga 80 në 200 lekë kupa, prodhuesit paralajmërojnë rritje të fortë të çmimit të akullores

Aktualitet

Nga 80 në 200 lekë kupa, prodhuesit paralajmërojnë rritje

Prodhimi vendas i akullores po përballet me vështirësi të forta, ndërsa produktet e importuara vijojnë të dominojnë tregun shqiptar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2025 u prodhuan 643 tonë akullore, rreth 40% më pak se një vit më parë.

Pas një rimëkëmbjeje në vitet 2023-2024, kur prodhimi arriti në 1,001 tonë në vitin 2024, sektori iu rikthye rënies. Niveli më i ulët i prodhimit në dekadën e fundit ishte regjistruar në vitin 2022, me vetëm 590 tonë.

Rënia e prodhimit vendas ka rritur peshën e importeve. Në vitin 2025, vetëm 17% e akullores së konsumuar në Shqipëri ishte prodhuar në vend, ndërsa 83% vinte nga importi. Një vit më parë, importet zinin 77% të tregut.

Prodhuesit vendas thonë se sektori po përballet me kosto të larta të lëndëve të para, mungesë investimesh dhe fuqie punëtore të specializuar. Për akulloren artizanale, një nga kostot kryesore është qumështi i freskët, ndërsa shumë përbërës të tjerë importohen.

Çmimet e lëndëve të para kanë shënuar rritje të ndjeshme. Prodhuesit përmendin veçanërisht kakaon dhe pistajon, ndërsa kërkesa e lartë për këtë të fundit ka ndikuar në rritjen e kostove.

Përballë konkurrencës së produkteve të importuara, prodhuesit kërkojnë lehtësi fiskale, veçanërisht në TVSH, si dhe mbështetje për prodhimin vendas të qumështit. Sipas tyre, ulja e kostove do të ishte thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë së industrisë shqiptare.

Ndërkohë, prodhuesit paralajmërojnë se kostot mund të reflektohen edhe te konsumatori. Aktualisht një kupë akulloreje kushton rreth 80-170 lekë, ndërsa në zonat bregdetare çmimi arrin rreth 150 lekë. Për vitin e ardhshëm pritet që çmimi të shkojë në 170-200 lekë për kupë.

Edhe importet, megjithëse ranë me rreth 6% në vitin 2025, janë rikthyer në rritje gjatë 2026-s. Në periudhën janar-qershor u importuan rreth 2,100 tonë akullore, 18% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Një tjetër problem është mungesa e punonjësve të specializuar. Prodhuesit thonë se është gjithnjë e më e vështirë të gjenden pastiçerë dhe profesionistë të rinj të gatshëm të trajnohen dhe të ndërtojnë një karrierë në këtë sektor.

Pavarësisht sfidave, kërkesa për akullore artizanale dhe produkte me përbërës natyralë është në rritje. Prodhuesit vlerësojnë se sektori ka potencial, por e ardhmja e tij do të varet nga ulja e kostove, investimet në kapacitete prodhuese dhe mbështetja fiskale për prodhimin vendas.

ME TE LEXUARAT