Nga ‘Mali i Tiranës’ te kullat e tjera luksoze të grupit të kokainës, cili do jetë fati i projekteve të Ilir Shtufit

Në qendër të hetimeve për pastrim të dyshuar të parave dhe fshehje pasurie, SPAK ka analizuar edhe projektin e madh ndërtimor “COLONADE”, në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, ku përfshihen subjektet “Nova Construction 2012” dhe “LTD sh.p.k.”.
Përmes kontratës së shkëmbimit nr. 5067 rep., datë 04.10.2023, subjekti LTD Co përfiton sipërfaqe garazhesh dhe njësi banimi në këmbim të truallit dhe pjesëve takuese në objekt. Ky mekanizëm kontraktor krijon shpërndarje të pasurive në formë kleringu, duke e lidhur ndërtimin me marrëdhënie të ndërsjella përfitimi mes subjekteve.” nga dosja hetimore.
Në këtë mënyrë, hetimi e shikon projektin jo thjesht si zhvillim ndërtimor, por si një strukturë financiare ku pasuria kriminale ndahet përmes kontratave të ndërlidhura. Pra, një skemë e mirëfilltë që nga trafiku kalon në fazën e pastrimit të parave.
“Në një çështje penale ka gjithmonë dy anë: e para është çështja subjektive që ti të arrish të provosh kush është qëllimi që kanë pasur personat përfitues, dhe pastaj është ana objektive se çfarë është përfituar nëpërmjet këtij qëllimi. Duke ndjekur rrjedhën logjike të ngjarjes siç ka ndodhur ato në dosje, të paktën për pjesën që është publike”, u shpreh Rezart Kthupi, avokat.
“Jo domosdoshmërisht kemi një aktivitet kriminal që është i lidhur me një investim, që të lidhet aktiviteti kriminal me investimin duhet të ketë një hetim që ky investim është prodhuar dhe ka gjeneruar nga aktiviteti kriminal. Sepse nëse nuk bëhet kjo lidhje midis investimit dhe aktivitetit kriminal, jo domosdoshmërisht do kemi pastrim të produkteve të veprës penale”, u shpreh Dritan Jahja, avokat.
Kompania e Ilir Shtufit qëndron edhe pas projektit të shumëpërfolur të quajtur “Mali i Tiranës”, me vendndodhje prapa Operas në zemër të Tiranës. Ky projekt është në hapat fillestarë dhe nuk dihet fati i miliona eurove që janë paguar që në themel nga porositës të ndryshëm.
E njëjta situatë edhe për projektin “Code of Shadows” tek 5 Maji, për të cilin banorë të zonës kanë hedhur akuza për tjetërsim trojesh nga biznesmeni Shtufi. Ky projekt ka arkëtuar qindra milionë lekë nga qytetarët e zakonshëm përmes blerjeve që në gropë…
Po ashtu, me këtë kompani lidhen edhe projektet “Hora Vertikale”, “Bond Tower” etj., ndërtime luksoze.
Pa harruar edhe investime të tjera në Tiranë apo më gjerë, si dhe tendera të shumtë publikë në vlerë dhjetëra milionë euro…
Personi nën hetim Luçiano Koçeku ka vijuar pastrimin e të ardhurave të përftuara nga hetimet ka rezultuar se nga trafiku i lëndëve narkotike përmes industrisë së ndërtimit, duke përdorur personin nën hetim Ilir Shtufi të cilit i referohet “ortaku im” dhe se njihet edhe prej lidhjeve të tij në aktivitetin e narkotikëve si “ortaku i lokut” nga dosja hetimore.


