Nga veriu në jug kundër draftit të PS për Reformën Territoriale! Këshilltarët socialistë e demokratë bëhen bashkë

Drafti i reformës territoriale, i propozuar nga Partia Socialiste ka ngjallur reagime të forta. Teksa ka nisur konsultimi publik, disa nga bashkitë e vogla që parashikohet të shkrihen me propozimin e PS, janë ngritur kundër.
Në mbledhjen e këshillit bashkiak të Këlcyrës, këshilltarët socialistë e demokratë janë dakordësuar dhe kanë kundërshtuar unanimisht draftin. Njëzëri, ata u kanë bërë thirrje këshilltarëve të Këshillit Bashkiak të Përmetit që të mos miratojnë draftin e qeverisë, i cili kërkon bashkimin e Bashkisë së Këlcyrës me atë të Përmetit.
Ndërkohë, edhe në Klos paraqitet e njëjta situatë. Gjatë diskutimeve, këshilltarët u shprehën unanimisht kundër bashkimit me Bashkinë Mat, duke deklaruar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar vendimin, pa përjashtuar edhe organizimin e protestave. Në mbledhje mori pjesë edhe kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, e cila bëri të ditur se projekt-propozimi i reformës ka mbërritur në bashki dy ditë më parë. Ajo sqaroi se dokumenti parashikon një periudhë 60-ditore konsultimi publik, gjatë së cilës do të zhvillohen dëgjesa me qytetarët në të gjitha njësitë administrative të bashkisë. Kryebashkiakja Kola theksoi se do të jetë në krah të banorëve dhe se do të përfaqësojë vullnetin e tyre në çdo fazë të procesit, duke garantuar se qëndrimi i Bashkisë Klos do të bazohet te mendimi i komunitetit.
Nga ana tjetër, kryepleqtë e 9 fshatrave të Njësisë Fierzë mblodhën banorët në një kuvend të përbashkët për të kundërshtuar njëzëri shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz me Pukën. Komuniteti i Fierzës shprehu hapur pakënaqësinë ndaj draftit të propozuar nga Partia Socialiste për ribashkimin e bashkive, madje duke paralajmëruar se do të ngrihen në protesta.


