Ngjarja e Xhuana Nikollit, flet e afërmja e Eraldo Fizit, tregon DETAJE mbi ngjarjen

Një familjare e Eraldo Fizit, të riut të akuzuar se ka ushtruar dhunë ndaj partneres Xhuana Nikolli që i dha fund jetës duke u vetëhelmuar, ka rrëfyer detaje mbi ngjarjen.
Duke folur për emisionin “Me zemër të hapur” në News24, ajo tha se janë të tronditur nga ngjarja e rëndë dhe se nuk e kishin ditur edhe për divorcin.
Sipas saj, ata kishin bërë një dasmë të madhe dhe se vjehrra ishte shumë e lumtur për ta. E pyetur në lidhje me raportimet se edhe e ëma e Eraldo Fizit ka ushtruar dhunë ndaj të resë, ajo theksoi se për sa e njeh nuk beson se mund ta ketë bërë këtë gjë.
“Nuk di të gjej fjalë për t’i ngushëlluar. Unë kam 40 vjet e martuar në këtë familje, janë familje që nuk janë për dhunë. Marrëdhënien që kemi me të, as nuk e kemi menduar dhe as nuk e mendoj. Halli më i madh është se nuk kthehet më ajo. Më duket e pabesueshme, nuk shpreh fjalë nga dhimbja. Unë për aq cfarë kam parë me sytë e mi…di që dhimbjen e kanë të madhe dhe të papërballueshme edhe këto vetë.
Ajo ka qenë e përkushtuar deri në ditën që është bërë dasma. Ka qenë e përkushtuar që të mos prishet dashuria e fëmijëve. Aq sa e njoh unë, nuk më shkon në mendje se ajo mund të ketë ushtruar dhunë. Jemi të shokuar edhe për divorcin, e kemi marrë vesh kur ka ndodhur ngjarja. Nuk e kemi ditur.”, u shpreh ajo.
Familjarja e Eraldo Fizit tregoi gjithashtu se për herë të fundit e kishte takuar çiftin pesë ditë pas dasmës, kur ata do të shkonin në Turqi për pushime.


