Përkeqësohet situata në aksin Librazhd-Qafë Thanë, demontohet ura te “Arrat e Gurrës”

Situata në aksin Librazhd- Qafë Thanë vijon të degradohet, ku prej ditës së djeshme qarkullimi në këtë zonë është bllokuar, për shkak të shembjes së rrugës dhe rrëshqitjes së dherave.
Sipas informacioneve, situata është rënduar pranë zonës “Arrat e Gurrës”, ku ura në këtë segment ka pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe është shpallur zyrtarisht e pakalueshme.
Raportohet se, struktura e urës ka humbur parametrat e sigurisë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve mbi të dhe në këto kushte, është marrë vendimi për demontimin e saj.
Prej ditësh situata paraqitet e rënduar në këtë segment rrugor, duke krijuar një situatë të ndërlikuar për qarkullimin në aksin strategjik që lidh zonën me pjesën tjetër të vendit.


