Përplasi për vdekje 66-vjeçarin në Durrës, gjykata lë në burg taksistin 26-vjeçar

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 26-vjeçarin Talelli, i dyshuar se shkaktoi aksidentin tragjik në plazhin e Durrësit, ku humbi jetën një 66-vjeçar.
Ngjarja ndodhi teksa viktima, Fezi Dine, po ecte në trotuar. Sipas hetimeve paraprake, 26-vjeçari, i cili drejtonte një taksi, dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka shkaktuar aksidentin si pasojë e pakujdesisë.
Gjykata ka vleftësuar gjithashtu të ligjshëm arrestimin e tij në flagrancë. Talelli po hetohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, të parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.
Vendimi e lë 26-vjeçarin në paraburgim, ndërsa hetimet do të vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësinë e tij në ngjarje.
Kur shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor shkakton vdekjen e një personi, Kodi Penal parashikon dënim nga dy deri në dhjetë vjet burgim.


