Përplasja te «Regina Palm» / Dëshmitë kontradiktore të biznesmenëve: Gjobë 5 mln euro apo konflikt prone? Në kërkim ish-deputeti

Aktualitet

Përplasja te «Regina Palm» / Dëshmitë kontradiktore

Përplasja Luan Muçës së kompanisë Delta Group dhe Vasil Bedinajt të rrjetit të hoteleve Regina, ka hapur dy pista të kundërta për motivin e ngjarjes: gjobëvënie apo konflikt pronësie. Bedinaj i qëndron se ndaj tij është vendosur një gjobë 5 mln euroshe ndaj tij, ndërsa Muça thotë se në mes, është një hapësire toke në bregdetin e jugut. Policia ndërkohë ka shpallur në kërkim edhe Bujar Muçën, ish deputetin e PDIU.

Biznesmeni i njohur i rrjetit të hoteleve ‘Regina’ në Vlorë, Vasil Bedinaj, i qëndron pretendimit se Luan Muça, sipërmarrësi i ‘Delta group’ dhe bizneseve të tjera të mëdha i ka vendosur një gjobë 5 milionë euro pasi i mësyu në resort me një grup personash të armatosur. Në dëshminë e parë që ka dhënë në polici, të cilën Report Tv e ka mësuar me burime, Bedinaj thotë se ka qenë vetë Luan Muça i cili i është ulur fillimisht në tavolinë, dhe më pas e kanë ndjekur të tjerët me armë, që edhe e kanë dhunuar.

“Mendova se do të takoheshim për çështje biznesi, pasi ai merret me hidrosanitare. Ndërkohë që kam qenë vetëm në ‘Regina Palm’, Luani ka ardhur dhe ka thënë: ‘Dua 5 milionë euro dhe ke afat 48 orë të zhdukesh nga Shqipëria’.

Më pas, mu afruan shumë persona dhe nuk më linin të çohesha. Punonjës të tjerë të stafit janë mbajtur nën kërcënimin e armës që të mos afroheshin. Disa prej truprojave të tij më qëlluan në kokë”, mësohet të ketë deklaruar Vasili Bedinaj, pronar i ‘Regina group’.

Por krejtësisht të kundërtën pretendon pala tjetër. Burimet thonë se Luan Muça i ka thënë policisë se nuk bëhet fjalë për gjobvënie por në hotelin e Bedinajt ishte për të sqaruar një çështje pronësie në bregdetin e Dhërmiut. Të njëjtit version i kanë qëndruar edhe dy të arrestuarit e tjerë, Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, pronar në kompaninë e sigurisë “Sëat Security", punonjës të së cilës ishin shumica e personave që shkuan të armatosur në hotel.

Të njëjtin qëndrim mbajti për mediat edhe mbrojtja e Luan Muçës, sipas së cilës takimi ishte për tu sqaruar “lidhur me një investim në bregdetin e Jugut ku palët kanë pretendime për ligjshmërinë e dokumentacionit”. Grupi hetimor po i verifikon këto pista. 

Deklaratën e shkurtër, pasi ende nuk ka dhënë dëshminë e plotë, Luan Muça e bëri nga spitali i Vlorës, ku ndodhej pasi u lëndua dje nga përmbysja e Range Roverit, e sot u transferua drejt spitalit të Traumës. Para aksidentit Muça kishte djegur Audin A8, më të cilin kishte dalë nga resorti, dhe ishte marrë nga mjeti Range, në tentativë për t’i ikur policisë, por që i zgjati vetëm pak kilometra.

Report Tv mësoi se në kërkim është shpallur edhe vëllai i Luan Muçës, Bujar Muça, një personazh shumë i njohur i botës së biznesit, politikës por edhe i përmendur edhe në kronikën e zezë. Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ishte i pranishëm në përplasje apo rolin që mund të ketë pasur në këtë ngjarje.

Në 2017 Bujar Muça u zgjodh deputet nën logon e PDIU. Ai e mbajti mandatin vetëm 2 muaj, duke dhënë më pas dorëheqje. Bujari ka qenë themelues dhe aksioner thuajse në të gjitha bizneset Delta por që më pas aksionet janë transferuar te vëllai dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ai u vë në qendër të vëmendjes kur në tetor 2025 u arrestua nga policia e Elbasanit, në shoqërinë e disa personave me precedentë kriminalë, të cilëve iu gjetën edhe armë. Interesant është fakti që mes të arrestuarve atëherë ishte dhe Blerim Heta, shtetasi kosovar, që u prangos dje duke u larguar, pasi kishte marrë pjesë në ngjarjen e ‘Regina Palm’.

Heta ishte në Range Roverin, që kishte një shenjë plumbi në xham, pasi dyshohet se u qëllua nga njeriu i Bedinajt, Angjelo Breshani, teksa grupi i Muçës po largohej nga hoteli. Pikërisht në këtë mjet u gjetën edhe njolla gjaku, që shton dyshimet se mund të ketë pasur një person të plagosur në ngjarje.

E gjithë përplasja mes dy biznesmenëve të njohur Muça dhe Bedinaj ka nisur në orën 11:30 të 3 shtatorit, kur Luan Muça mbërriti me të paktën 7 makina dhe mbi 10 persona të armatosur mbërriti në ‘Regina Palm’. Edhe 24 orë më pas mbetet një mister arsyeja e vërtetë e përplasjes.

Versioni i konfliktit pronësor dyshohet se mbështetet mbi një investim strategjik të kompanisë Delta Group për një resort gjigand në bregdetin mes Drimadhesit dhe Palasës, për truallin e të cilit dyshohet se të dyja palët pretendojnë se kanë letra të rregullta.

ME TE LEXUARAT