Raporti/ 37 gra të vrara në katër vite, 27 prej tyre femicide! Avokati i Popullit: Forcimi i mbrojtës, dhe njohje ligjore

Në prag të 8 marsit, ndërsa përgatitemi për të respektuar figurën e nënës dhe gruas, rolin e tyre të pazëvendësueshëm në shoqëri, të dhënat e fundit nga Observatori i Femicidit pranë Avokati i Popullit na zbulojnë një realitet të dhimbshëm që prek ende shumë gra dhe vajza në Shqipëri.
Nga viti 2021 deri në 2024, në vend janë vrarë 37 gra dhe vajza. 27 prej tyre janë vlerësuar si femicide.
Vetëm gjatë vitit 2024 janë analizuar 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave. Për herë të parë, monitorimi përfshin dhe tentativat e vrasjeve, plagosjeve të rënda me dashje dhe të shkaktimit të vetëvrasjes.
Të dhënat tregojnë se në 72% të ngjarjeve dhuna nuk filloi papritur, por viktimat kishin përjetuar më parë dhunë nga autori. Në disa raste, viktimat kishin kërkuar ndihmë. Pesë prej tyre rezulton se e denoncuan dhunën përpara krimit, por në momentin e ngjarjes asnjëra nuk ishte nën masa aktive mbrojtjeje, duke zbuluar koordinimin e dobët mes institucioneve si policia, prokuroria apo shërbimet sociale.
Nga 19 autorë të identifikuar, 17 janë burra ose djem. Motivet kryesore lidhen me kontrollin, xhelozinë dhe norma patriarkale të shoqërisë. Rreth 56% e rasteve kanë ndodhur në zona rurale, duke treguar nevojën për më shumë vëmendje dhe mekanizma mbrojtjeje në këto komunitete.
Pasojat e këtyre krimeve shkojnë përtej viktimave dhe prekin drejtëpërdrejtë fëmijët. Gratë e vrara gjatë vitit 2024 ishin nëna të 33 fëmijëve, 9 prej tyre të mitur.
Bazuar mbi këto të dhëna, Avokati i Popullit rekomandon forcimin e mekanizmave për vlerësimin e hershëm të rrezikut, monitorim më të afërt të rasteve të dhunës dhe njohjen ligjore të femicidit si një vepër penale të veçantë.
Në mars të vitit 2024, në bashkëpunim me UN Ëomen, u krijua Observatori për Femicidin, duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në Ballkan që ka ngritur një mekanizëm të posaçëm për monitorimin e vrasjeve me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave./Shqiptarja


