“Roja nuk ishte, detektori sinjalizoi metalin”, ja si ndodhi grabitja në filialin e FiBank

Policia e Tiranës ka dhënë detaje nga grabitja e djeshme të ndodhur në Rrugën e Kavajës në filialin e FiBank ku një 61-vjeçar hyri i armatosur dhe mori një sasi lekësh.
58-vjeçari Bardhyl Fusha ka treguar në polici se ka rreth 70 milionë lekë të vjetra borxhe të pa shlyera tek punëtorët, për shkak se ishte sipermarrës në fushën e ndërtimeve. Ai ka deklaruar se kishte zgjedhur të grabiste filialin e bankës për shkak se kishte shkuar edhe herë të tjera aty kur kryente pagesat.
Bardhyl Fusha, me origjinë nga Gramshi jetonte në Tiranë me familjen në një banesë me qira. Ai u afrua pranë bankës me automjetin e tij dhe pasi e parkoi aty pranë hyri i armatosur në filialin e bankës. Mësohet se roja i sigurisë private nuk ishte për momentin tek dera, por detektori sinjalizoi se Fusha që sapo u fut në bankë kishte metal me vete.
58-vjeçari nxori menjëherë kallashnikovin nga çanta dhe qëlloi një herë në dysheme. Ai arriti të marë vetëm 8 milionë lekë të vjetra në njërën prej arkave dhe sapo doli tek dera u arrestua. Për armën e zjarrit ai deklaroi se e kishte që prej vitit 1997 dhe e mbante në banesë.


