Shërbimi kufitar në Qafëbotë të funksionojë 24 orë në 24, deputetët e PS kërkesë zyrtare kryeministrit grek

Disa deputetë dhe kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, i janë bashkuar nismës së deputetit Vasil Llajo në kërkesën drejtuar kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, për të sjellë përmirësime të domosdoshme në regjimin e shërbimit në pikëkalimin kufitar të Qafëbotës.
Nënprefekti i Sarandës, Kristaq Kiço, bën me dije se kërkesa zyrtare mban nënshkrimin e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, të deputetëve të tjerë, si dhe të kryebashkiakëve të katër bashkive të jugut.
Sipas Kiços, Qafëbota është një nyje e rëndësishme për lëvizjen e banorëve dhe për ekonominë në të dy anët e kufirit. Lehtësimi i lëvizjes vlerësohet se do të ketë impakt pozitiv të dyanshëm, veçanërisht në zhvillimin e turizmit.
Nisma më e fundit, e cila kërkon vendimmarrjen e autoriteteve më të larta të shtetit grek, i referohet praktikës së vendosur rreth 6 vite më parë, kur përmes vullnetit politik në nivel lokal dhe rajonal, u miratua regjimi i shërbimit 24 orë në 24 në këtë pikë kalimi kufitar.
Aktualisht, nga pala greke në Qafëbotë ofrohet vetëm 13 orë shërbim në ditë, disa orë më pak krahasuar me një vit më parë.
Kërkesa e parlamentarëve dhe e katër kryetarëve të bashkive të jugut mbështetet edhe nga homologët grekë të rajonit të Thesprotisë, si dhe nga deputeti Vasilis Jojakas.
Qëllimi është që shërbimi kufitar në Qafëbotë të funksionojë 24 orë në 24, gjatë gjithë vitit.


