Si u rrëzua alibia e priftit polak, fotot dhe bisedat në 'Signal' nxjerrin zbuluar korrierin e 'Dajës' dhe 'Shkodrës'

Emri i priftit polak, At Diakon Jacek Roman Bogacz, që doli në dosjen hetimore të SPAK si posedues i shumës financiare prej 860 mijë eurosh, të kapur më 14 nëntor 2024 në Muriqan të Shkodrës, duket se është një “dredhi” që ka përdorur i arrestuari Lefter Nelaj për të shmangur origjinën e vërtetë të parave dhe grupin kriminal që ai përfaqësonte.
Por, pavarësisht kësaj, prifti polak është kërkuar të pyetet nga prokuroria shqiptare dhe, për të mundësuar këtë gjë, pak kohë më parë është dërguar një letërporosi në Poloni, me qëllim kryerjen e verifikimeve të nevojshme.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se përgjimet e kryera nga një skuadër operacionale në Bari dhe zbërthimi i telefonit të Lefter Nelaj në SPAK duket se kanë rrëzuar pistën se shuma e eurove e kapur në Muriqan ishte e mbledhur nga një fondacion bamirës në Itali dhe Poloni, me qëllim restaurimin e kishave në Lezhë, përmes shoqatës bamirëse “Calatrava”.
Në dhjetëra biseda të transkriptuara në aplikacionin “Signal”, Prokuroria e Posaçme SPAK ka zbuluar se shoferi Lefter Nelaj, nga fshati Fushë-Milot i Kurbinit, nuk i ka marrë lekët nga prifti polak At Diakon Jacek Roman Bogacz.
Por hetimet, vëzhgimet në terren dhe përgjimet treguan se Nelaj ka shërbyer si korrier parash për grupin kriminal që drejtohej nga dy shqiptarët, Ergys Kastrati, i njohur me nofkën “Shkodra”, dhe Igli Kamberi, i njohur me nofkën “Daja”.
Furgoni tip Mercedes-Benz Vito, që shkoi në Itali për llogari të “Dajës” dhe “Shkodrës”, është gjurmuar imtësisht, duke çuar në fotografimin e tij në rrugë, ambiente magazinimi e deri te pika kufitare e Muriqanit në Shqipëri.
“Daja” dhe “Shkodra”, gjatë viteve 2023 deri në vitin 2026, kanë drejtuar në bashkëpunim me shtetas italianë një grup kriminal që kryente trafik droge, kryesisht kokainë dhe heroinë, në disa zona të ndryshme të Italisë.
Krahas personit nën hetim Igli Kamberi, në menaxhimin e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike, është e përfshirë bashkëshortja e tij, shtetasja Nevila Kamberi, dhe tezja e tij, Idajete Kurti.
“...nga veprimet hetimore deri në këtë fazë shfaqen edhe shtetasit Giovanni Mingolla nga Oria (BR) dhe bashkëshortja e tij shqiptare, shtetasja Lindita Falli, si dhe Antonio Tarantini nga Toritto (BA), me të cilin Igli Kamberi dhe Ergys Kastrati ndanin të njëjtën dinamikë kriminale që synonte lëvizjen e heroinës dhe kokainës në blloqe, në lidhje me mbledhjen dhe transferimin e shumave të mëdha të parave cash nga Italia drejt Shqipërisë, të dërguara nëpërmjet kamionistëve ose korrierëve...” – thuhet në dosjen hetimore të SPAK.
Nga hetimi rezulton se bashkëpunëtorët e grupit kriminal, për aktivitetin e tyre kriminal, në disa raste përdornin si bazë logjistike shtëpinë e Angelo Della Corte, që ndodhej në Lupariente, në Oria (BR).
Ka rezultuar po ashtu pjesëmarrja e shtetasve Annamaria Lamia Caputo, Alessio Maggio dhe Sergio Lamonaca, korrierë të grupit kriminal.
“...këta shtetas, duke ndjekur udhëzimet e rrepta të dhëna herë pas here nga personi nën hetim Igli Kamberi ose Ergys Kastrati, dhe duke drejtuar makina të pajisura posaçërisht me vende të fshehta, ishin përgjegjës për sigurimin, fshehjen dhe transferimin e mëvonshëm të substancës narkotike te blerësit, përveçse ishin përgjegjës për mbledhjen e parave, duke transportuar shuma të mëdha të destinuara për t’u dorëzuar te shoferët ose transportuesit që drejtoheshin për në Shqipëri...” – thuhet në dosjen hetimore të siguruar nga Elton Qyno.
Duke iu referuar kësaj dosjeje hetimore, si dhe duke parë kontekstin hetimor, kuptohet se midis datave 12 dhe 14 nëntor 2024, nga përgjimet telefonike në Ford C-Max të përdorur nga grupi operacional dhe nga imazhet e sistemit të mbikëqyrjes me video të instaluar pranë shtëpive të Angelo Della Corte në Oria dhe Antonio Tarantini në Toritto, janë marrë prova që dokumentonin përfshirjen e shtetasve Ergys Kastrati, Igli Kamberi, Alessio Maggio, Giovanni Mingolla, Lindita Falli dhe Antonio Tarantini në lidhje me transferimin nga Italia në Shqipëri të mbi 680 mijë eurove cash, të ndara në pako të paketuara me vakum dhe të transportuara të fshehura brenda një automjeti me targa shqiptare të drejtuar nga Lefter Nelaj.
Siç përshkruhet në detaje në dosje, hetimi ka konstatuar se paratë në fjalë, të ardhura nga trafikimi i drogës nga ana e këtij grupi të strukturuar kriminal, i ishin besuar shoferit shqiptar për transport në Shqipëri më 13 nëntor 2024 në Oria (BR), në shtëpinë e Angelo Della Corte në lagjen Lupariente.
Paratë i ishin dorëzuar fizikisht shoferit nga Alessio Maggio, i cili, duke vepruar si i dërguari i Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit, kishte mbledhur një pjesë të parave nga Catania disa orë më parë, nga Giovanni Mingolla dhe gruaja e tij Lindita Falli. Këta, së bashku me Alessio Maggio-n, e kishin takuar shoferin shqiptar në shtëpinë e Della Corte në Oria, ndërsa më pas Antonio Tarantini i dorëzoi para të tjera Lefter Nelajt në Toritto, në shtëpinë e tij. Të gjithë këta, siç u përmend, janë plotësisht të përfshirë në dinamikën bashkëpunuese të trafikimit të drogës nën hetim.
Ndërkohë, teksa Lefter Nelaj ka udhëtuar nga Italia drejt Shqipërisë me furgonin e marrë me qira për të sjellë shumën prej 680 mijë eurosh, skuadra operacionale italiane ka njoftuar SPAK për drejtimin e lëvizjes së tij dhe ngarkesën që kishte brenda dyerve të furgonit.
“...në bazë të udhëzimeve të Qendrës Operative ‘DIA’ të Barit, të ndara me Prokurorinë e Posaçme në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, Lefter Nelaj, pasi mbërriti në pikën kufitare tokësore të Muriqanit, që ndodhet midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, afërsisht në orën 20:00 të mbrëmjes së 14 nëntorit 2024, u ndalua dhe u kontrollua nga policia shqiptare, e cila gjeti dhe sekuestroi paratë në fjalë...” – thuhet në dosjen hetimore.
Nga ana tjetër, fillimisht këtë rast të ndalimit të eurove në Muriqan e ka marrë për hetim Prokuroria e Shkodrës, duke e proceduar Lefter Nelajn për akuzat e “Mosdeklarimit të shumave financiare në kufi” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Gjatë fazës së hetimit në Shkodër, Nelaj qëndroi mbi 15 muaj në burg dhe, që prej shkurtit 2026, ndodhet në “arrest shtëpie”, për shkak të një vendimi të dhënë nga Gjykata e Shkodrës. Tashmë kjo çështje penale është tërhequr nga Prokuroria e Shkodrës dhe po hetohet nga prokurori i SPAK, Vladimir Mara.
Por kur është marrë në pyetje, Nelaj ka treguar se sasinë e eurove ia kishte dhënë në Itali një prift polak, i quajtur At Diakon Jacek Roman Bogacz, me qëllim që këtë shumë financiare ta çonte në Lezhë për të kryer restaurimin e disa kishave katolike në këtë zonë.
Tashmë kjo histori nuk besohet më nga prokurori i SPAK, i cili, duke u bazuar në provat e servirura nga Prokuroria e Barit, ka çuar në arrestimin për herë të dytë të Lefter Nelajt për akuzat e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Grupit të strukturuar kriminal”.
Pavarësisht se prokurori kërkoi për Nelajn masën e sigurisë “Arrest në burg”, gjyqtarja e çështjes, Flojera Davidhi, vendosi që ndaj tij të caktojë masën e dytë, atë të “Detyrimit për t’u paraqitur pranë oficerit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
Ndërkohë, në këtë dosje penale, bashkë me Lefter Nelajn, janë proceduar për trafik droge, pastrim parash dhe grup kriminal Igli Kamberi, Ergys Kastrati alias Bishja, Nevila Kamberi, Idajete Kurti, Bardhok Gjergji, Edi Brahaj, Dituri Buzi, nëna e Nevilës Kamberi, Saimir Pirra dhe Sokol Fusha.
Hetimet rreth këtij rasti vijojnë për të dokumentuar episode të tjera kriminale./Syri


