"S'ka sëmundje mendore", Leonard Ademaj akuzon Naim Murselin: Po e zvarrit procesin me qëllim shmangien e drejtësisë!

Aktualitet

"S'ka sëmundje mendore", Leonard Ademaj akuzon Naim

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka reaguar pas publikimit të raportit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, i cili konstaton se Naim Murseli është plotësisht i aftë mendërisht dhe nuk vuan nga çrregullime psikike.

Sipas tij, ky përfundim rrëzon përpjekjen e fundit të Murselit për të zvarritur gjykimin dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore.

“Naimi e përdori këtë si mjet për të fituar kohë. Tani që edhe kjo përpjekje dështoi, kërkojmë nga drejtësia të ecë përpara pa asnjë vonesë,” deklaroi Leonard Ademaj.

Ai theksoi se Murseli është organizatori i vrasjes së motrës së tij, duke bashkëpunuar me Kushtrim Kokallën dhe me Granit Plavën, që dyshohet se ka kryer ekzekutimin.

Ademaj kërkoi që të gjithë të përfshirët të përballen me dënime maksimale, duke shtuar se drejtësia duhet të japë një sinjal të qartë kundër veprave të tilla mizore.

“Liridona nuk mund të kthehet, por ajo meriton drejtësi. Ky rast duhet të shërbejë si një paralajmërim për këdo që mendon të kryejë një akt të tillë kriminal,” u shpreh ai.

Leonard Ademaj njoftoi gjithashtu se seanca e radhës për çështjen do të zhvillohet të hënën, ndërsa i bëri thirrje gjykatës që të mos tolerojë më zvarritje të procesit, duke theksuar dhimbjen e thellë që kjo ngjarje ka lënë tek familja dhe shoqëria.

 

 

ME TE LEXUARAT