Skadon sot afati për kompensimin e naftës, Shoqatat kërkesë qeverisë: Zgjateni mbështetjen me 3 muaj!

Aktualitet

Skadon sot afati për kompensimin e naftës, Shoqatat kërkesë

Skadon këtë të shtunë afati për të aplikuar për kompensimin e çmimit të naftës nga operatorët e transportit publik. Administrata Tatimore i bën thirrje subjekteve të aplikojnë për të përfituar rimbursimin 50 lekë për çdo litër naftë që kanë blerë përgjatë periudhës mars–prill–maj 2026.

Kjo mbështetje financiare u miratua nga qeveria në maj për shkak të shtrenjtimit të karburantit prej luftës në lindjen e Mesme. Por për kompanitë e transportit, kjo mbështetje është e pamjaftueshme përsa kohë çmimi i naftës vijon ende të jetë i lartë.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas më 31 korrik i është drejtuar përsëri me një letër ministrit të Infrastrukturës Enea Karakaçi, ministrit të Financave Petrit Malaj dhe ministres së Ekonomisë Delina Ibrahimaj duke kërkuar zgjatjen e kompensimit edhe për tre muaj, qershor, korrik dhe gusht, pasi ditët e fundit ka arritur deri në 214 lekë për litër.

“Nëse kjo situatë do të vijojë, ekziston rreziku real i përkeqësimit të likuiditetit financiar të operatorëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e detyrimeve ndaj punonjësve, furnitorëve, institucioneve tatimore dhe kreditorëve të tjerë. Një situatë e tillë do të cenonte jo vetëm stabilitetin ekonomik të operatorëve, por edhe vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët”, thuhet në shkresën dërguar qeverisë.

Gjithashtu ata kërkojnë thjeshtim të procedurave për të përfituar kompensimin.

“Përshpejtimi i këtyre procedurave do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes financiare të operatorëve dhe në garantimin e vijimësisë së shërbimit”, thuhet në letër.

Qeveria doli nga regjimi i Bordit të Transparencës që caktonte çmimet e karburantit me 19 qershor, kohë kur nafta po shitej me 176 lekë dhe benzina me 166 lekë. Ndërsa në ditët e fundit të korrikut karburanti është shtrenjtuar ndjeshëm duke arritur në 214 lekë për litër, prej tensioneve në rritje në lindjen e Mesme.

Deklarata e plotë

Në vijim të takimeve dhe komunikimeve të zhvilluara lidhur me situatën financiare të operatorëve të transportit publik, dëshirojmë të rikthejmë në vëmendjen tuaj shqetësimin serioz që vazhdon të ndikojë në mbarëvajtjen e këtij shërbimi me rëndësi jetike për qytetarët.

Rritja e vazhdueshme e çmimit të karburantit, e cila aktualisht ka arritur nivelet më të larta të vitit, ka rënduar ndjeshëm kostot operative të sektorit. Duke pasur parasysh konsumin e lartë të karburantit nga mjetet e transportit publik, kjo situatë ka krijuar një barrë financiare të papërballueshme për operatorët, duke vënë në rrezik vazhdimësinë normale të aktivitetit dhe përmbushjen e detyrimeve kontraktore.

Nëse kjo situatë do të vijojë, ekziston rreziku real i përkeqësimit të likuiditetit financiar të operatorëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmbushjen e detyrimeve ndaj punonjësve, furnitorëve, institucioneve tatimore dhe kreditorëve të tjerë. Një situatë e tillë do të cenonte jo vetëm stabilitetin ekonomik të operatorëve, por edhe vazhdimësinë e shërbimit të transportit publik për qytetarët.

Për këto arsye, kërkojmë nga institucionet tuaja që të propozojnë pranë Këshillit të Ministrave vijimin e skemës së kompensimit për operatorët e transportit publik edhe për periudhën qershor, korrik dhe gusht 2026, si një masë e domosdoshme për garantimin e funksionimit normal të këtij sektori.

Njëkohësisht, kërkojmë që procedurat e rimbursimit të thjeshtohen dhe të përshpejtohen, pasi një pjesë e operatorëve ende nuk kanë përfituar pagesat e mëparshme.

Përshpejtimi i këtyre procedurave do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes financiare të operatorëve dhe në garantimin e vijimësisë së shërbimit.

Duke vlerësuar rëndësinë e transportit publik si një shërbim me interes të lartë publik, besojmë se institucionet që ju përfaqësoni do ta trajtojnë këtë kërkesë me prioritet dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, mbetemi në pritje të një përgjigjeje pozitive.

ME TE LEXUARAT