Me pankarta dhe kapele, studentët ‘diplomohen’ në sheshin e protestës: Vendet na i zunë Zegjinetë!

Një moment pikant nga protesta ditën e sotme, e 47-a, ka qenë shfaqja e disa të rinjve me pelerinat e diplomimit studentor.
Një e re, e pranishme në protestën e 47-të, tha se nuk do të heqin dorë nga tubimet, ndërsa ia adresoi këtë mesazh klasës politike.
Ajo u shpreh se të rinjtë nuk do të largohen nga vendi dhe do të vijojnë të kërkojnë ndryshim. Sipas saj, e ardhmja e vendit varet nga qëndrimi i të rinjve.

“Sot janë bashkuar të gjithë, të rinj e të reja. Studentët janë veshur me pelerinat e diplomimit dhe kanë një mesazh për të gjithë ju. Po mendoni se jemi lodhur dhe do të largohemi edhe ne. O ju të dashur qeveritarë, klasë e kalbur politike, po jua rikujtojmë edhe një herë: ne do të qëndrojmë, nuk do të largohemi. Nëse e ardhmja e Shqipërisë është në Shqipëri, pa rini nuk ka Shqipëri”, tha ajo mes të tjerash, duke treguar edhe simbolikën e shfaqjes së të rinjve.
Ajo theksoi se kryeministri i quan korba dhe sorra, por të rinjtë nuk do dorëzoheshin.
Studentët, të veshur me uniforma dhe kapele diplomimi, i janë bashkuar mbrëmjes së sotme protestës para Kryeministrisë.
Ata kanë mbajtur në duar pankarta të ndryshme, për të denoncuar nepotizmin në Shqipëri.
‘Mjeke, por vendin ma zuri fëmija i një deputeti’, ‘Aktore, por nuk e përballoj dot jetesën’, ‘Shkenca politike, por vendin ma zunë Zegjinetë’, janë disa nga mbishkrimet kryesore në pankartat e studentëve.


