Tarifa me fasha për ujin/ Faturim sipas konsumit, propozohet mekanizëm sezonal për disa qytete

Tarifat e ujit mund të ndryshojnë në varësi të sasisë së konsumuar, ndërsa për zonat turistike propozohet edhe një mekanizëm sezonal. Enti Rregullator i Ujit ka nisur procedurën për rishikimin e metodologjisë së miratimit të tarifave të shërbimeve ujësjellës-kanalizime, duke parashikuar krijimin e bazës rregullatore për aplikimin e tarifave me fasha apo blloqe konsumi. Një skemë e ngjashme aplikohet aktualisht për energjinë elektrike, sipas së cilës konsumi mbi 700 kWh paguhet më shtrenjtë.
Një propozim konkret është paraqitur ndërkohë nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime për Shoqëritë Rajonale Durrës, Vlorë dhe Sarandë. Kërkesa parashikon aplikimin e një mekanizmi sezonal tarifimi me fasha konsumi në këto tre zona, me qëllim menaxhimin e kërkesës për ujë gjatë periudhave me ngarkesë të lartë turistike.
Ndryshimet synojnë që tarifimi të përdoret edhe si instrument për menaxhimin e konsumit, në një kohë kur gjatë sezonit turistik kërkesa për ujë në zonat bregdetare rritet ndjeshëm. Megjithatë, dokumenti nuk përcakton ende pragjet e konsumit që do të ndajnë fashat dhe as nivelet konkrete të tarifave që mund të aplikohen.
Rishikimi i metodologjisë prek edhe procedurat që ndjekin shoqëritë ujësjellës-kanalizime për tarifat. Ndër të tjera, propozohet që afati përfundimtar për dorëzimin e dokumentacionit të aplikimit të zhvendoset nga 30 qershori në 30 nëntor. Gjithashtu parashikohet një periudhë tranzitore deri në një vit, gjatë së cilës shoqëritë mund të vazhdojnë të aplikojnë tarifat ekzistuese deri në hyrjen në fuqi të vendimit të ri tarifor.
Metodologjia e tarifave përcakton mënyrën se si llogariten dhe miratohen çmimet e shërbimeve të ujësjellës-kanalizimeve, duke marrë në konsideratë kostot e operatorëve, performancën e tyre dhe përballueshmërinë e faturës për konsumatorët.


