Tragjedi në Vaun e Dejës/ Dy persona bien në kontakt me rrymën, humb jetën 40-vjeçari
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, ku dy persona dyshohet se kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike në ambientet e jashtme të një lokali bar-kafe.
Sipas informacionit paraprak të policisë, njëri prej tyre, 40-vjeçari Sokol Preka, i cili punonte si roje i lokalit, ka pësuar goditje elektrike dhe ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital.
Ndërkohë, personi tjetër i përfshirë në ngjarje, 46-vjeçari David Deda, me profesion elektricist, ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ende nuk janë të qarta rrethanat në të cilat dy personat kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të zbardhur të plotë rrethanat e tragjedisë.