U mbyt në liqenin e Shkodrës pasi shpëtoi turistët izraelitë! Pas 48 orësh kërkime, gjendet trupi i pajetë i Kapitenit Arben Anamali!
Pas dy ditësh kërkime në liqenin e Shkodrës, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit Arben Anamali.
Kapiteni i anijes turistike “Drini”, humbi jetën dy ditë më parë teksa u hodh në liqenin e Shkodrës për të shpëtuar disa turistë izraelitë, të cilët po mbyteshin. Trupi i pajetë i Anamalit u gjet rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, pas afro 48 orësh kërkime intensive në ujërat e liqenit të Shkodrës.
Grupi i turistëve po vizitonin bukuritë e liqenit mes Shirokës dhe Zogajve, me anijen e drejtuar nga Arben Anamali.
Ai i paralajmëroi turistët se ishte e pamundur të laheshin në liqen për shkak të erërave të forta, por ata injoruan fjalën e tij dhe u hodhën në ujë, një ngjarje kjo që përfundoi në tragjedi për vetë Arbenin.
Si ndodhi ngjarja?
Pesë turistë u hodhën në ujë, duke injoruar këshillat e kapitenit. Por uji nuk ishte aq mikpritës sa kishin imagjinuar. Brenda pak minutash, u përballën me një rrezik real për jetën. Megjithatë nuk ia dolën dot që të qëndronin gjatë dhe për punë minutash kërkuan ndihmë.
Në këtë moment, kapiten Arben Anamali ka notuar drejt turistëve, të cilët era e fortë i kishte larguar rreth 50 metra nga anija, ndërsa me vete kishte dhe dy komardare shpëtimi. Njërin grup me 3 persona i ka afruar pranë anijes, e më pas ka shkuar për të marrë edhe 2 turiste të tjera.
Edhe pse të turistët i ka shpëtuar, vetë nuk ka mundur dot më që t'i afrohet anijes, për shkak se i shteruan fuqitë. Polumbarët ende nuk e kanë gjetur trupin e tij. Anamali, baba i dy fëmijëve, djalit 17 vjeç dhe vajzës 14 vjeçe, humbi jetën duke bërë atë që dinte më mirë, të shpëtonte të tjerët.
Kapiteni i njohur, u punësua nga Bashkia Shkodër me 1 Maj të 2024 kur edhe u sollën anijet turistike “Buna” dhe “Drini”.