Veliaj padi për falsifikim dokumentesh në Prokurorinë e Tiranës: Të identifikohet autori real, kush është kallëzuesi Nesti Angoni?!

Një zhvillim i fortë juridik dhe politik ka dalë në dritë pas depozitimit të një kallëzimi penal nga Erion Veliaj, i cili kërkon hetimin e dokumentit që shërbeu si bazë për nisjen e procedimit penal ndaj tij. Sipas kallëzimit, të depozituar pranë Prokurorisë së Tiranës, procedimi penal nr. 27/2024 është nisur mbi bazën e një dokumenti të nënshkruar nga një person i vetëquajtur “Nesti Angoni”, i cili – sipas verifikimeve zyrtare – nuk ekziston në regjistrat e gjendjes civile.
Në thelb të kallëzimit qëndron pretendimi se nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim, por me një simulim të një kallëzuesi real, të materializuar me emër dhe nënshkrim, me qëllim krijimin e një besueshmërie artificiale përpara organit të akuzës. Sipas dokumentit, kjo përbën jo vetëm falsifikim, por edhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në mekanizmin e nisjes së ndjekjes penale, pasi mbi këtë bazë janë ndërmarrë veprime hetimore me pasoja konkrete juridike.
Një nga pikat më të forta të kallëzimit lidhet me standardin që vetë SPAK ka shpallur publikisht: vetëm kallëzimet që përmbushin kriteret formale dhe procedurale mund të regjistrohen si të tilla. Megjithatë, sipas kallëzimit, në këtë rast është vepruar në kundërshtim me këtë standard, duke ngritur në mënyrë artificiale në rangun e një kallëzimi penal të vlefshëm një dokument që nuk është paraqitur si kallëzim penal, ka formën e një informacioni dhe lidhet me një identitet të rremë
Kjo, sipas Veliajt, ngre një pyetje të drejtpërdrejtë: “Pse vetëm në këtë rast është devijuar nga standardi që vetë SPAK ka shpallur?”
Kallëzimi evidenton gjithashtu ekzistencën e një materiali të dytë të ngjashëm, të lidhur me një tjetër identitet të pa verifikueshëm, “Nasta Pellumbi”. Sipas argumentimit, kjo situatë ngre dyshime të forta për një burim të përbashkët, një autor të vetëm që përdor identitete të ndryshme ose një mekanizëm të strukturuar për krijimin e kallëzimeve artificiale
Dokumenti thekson se çështja nuk ka vetëm dimension penal, por edhe institucional. Përdorimi i një identiteti të rremë për të vënë në lëvizje ndjekjen penale ndaj një funksionari të zgjedhur, sipas kallëzimit, prodhon pasoja që shkojnë përtej individit. Sipas tij, një ndërhyrje e tillë ka ndikuar në funksionimin e institucioneve publike, cenuar balancat e krijuara nga vota demokratike dhe kërkon hetim të plotë të qëllimeve dhe interesave që qëndrojnë pas saj.
Në përfundim, Veliaj kërkon regjistrimin e një procedimi penal për falsifikim dokumentesh, identifikimin e autorit real të dokumentit dhe hetimin e plotë të rrethanave që çuan në nisjen e procedimit penal ndaj tij


