Zjarri përfshin Llogaranë, ndërhyrje nga ajri për shuarjen e flakëve – në rrezik stanet dhe bagëtitë

Një vatër e madhe zjarri vijon të jetë aktive që prej mesnatës në zonën e Palasës, duke përfshirë kodrën pranë hyrjes së tunelit.
Banorët e zonës janë të shqetësuar pasi përhapja e flakëve mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme në kullota, pyje dhe pronat e tyre
Flakët janë favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, duke e bërë të vështirë neutralizimin e tyre vetëm me forcat tokësore.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, efektivë të Policisë së Shtetit, si edhe punonjës të zonave të mbrojtura, të cilët kanë punuar gjatë gjithë natës për izolimin e vatrës dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të tjera.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të mëdha të zjarrit, gjatë ditës së sotme në operacion është përfshirë edhe një helikopter, i cili po punon nga ajri për shuarjen e flakëve.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa operacioni për vënien e zjarrit nën kontroll është ende në zhvillim.


