Përplasi për vdekje 2 fëmijët në Durrës, jepet masa e sigurisë për Nikoll Radaçin

Sot në orën 11.00 do të jepet masa e sigurisë për Nikoll Radaçin, autorin e aksidentit në Durrës që u mori jetën dy të miturve dhe la ta plagosur një fëmijë të tretë që po trajtohet ne Spitalin e Traumës në Tiranë. 57-vjeçari është marrë dy herë në pyetje pasi fillimisht ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike por edhe nën efektin e alkoolit.
"Më vrisni. Nuk meritoj të jetoj. Dua të vras veten. Çfarë të them!? Ka ngelur gjë për të thënë më!? Jam i tronditur. Nuk mbaj mend asgjë. Mora në qafë fëmijët. Isha në gjendje të dehur," mësohet të ketë deklaruar ndër të tjera 57-vjeçari.
Nikolle Rradaçi është një person që ishte bërë shqetësim për banorët e zonës, të cilët disa herë ishin ankuar edhe në polici për shkak se ai ecte me shpejtësi të lartë në rrugët e lagjes dhe në gjendje të dehur në timon. 57- vjeçari ishte ndëshkuar disa herë nga policia, në dy raste i ishte hequr edhe leja e drejtimit pasi ishte kapur nga policia teksa drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.
Radaçi rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve. Ndërkohë që nga testet e alkoolit është zbuluar se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel 0.73 mg/l. Kjo nuk është hera e parë që 57-vjeçari ecte në gjendje të dehur në makinë dhe me shpejtësi. Më parë atij i është pezulluar dy herë patenta në vitin 2020 dhe 2022.


