Vrau shokun me kallash, Kristajn Sterjo i qetë në Gjykatë: Jam penduar

Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristjan Sterjon, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Joan Zuko, ngjarje e ndodhur më 8 gusht.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të mërkurë në kushte të rrepta sigurie. Prokurorja Artenida Toska kërkoi masën “arrest me burg” për Sterjon, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Burime brenda seancës bëjnë me dije për Vizion Plus se Sterjo ka dhënë të njëjtin version të ngjarjes që kishte deklaruar edhe përpara grupit hetimor.
Sipas këtyre burimeve, ai ka qenë i qetë gjatë gjithë seancës dhe, në përfundim të fjalës së tij, ka deklaruar se është penduar për atë që ka bërë.
Kristjan Sterjo ka treguar se mes tij dhe Joan Zukos kishte pasur konflikte edhe më herët, por ka mohuar se ka pasur qëllim ta vriste 20-vjeçarin.
Joan Zuko, 20 vjeç, u qëllua me armë zjarri pasditen e 8 gushtit në lagjen nr. 14 të Korçës. Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet, mes dy të rinjve kishte pasur një konflikt të mëparshëm.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Sterjo ka deklaruar se konflikti kishte nisur rreth dy javë para ngjarjes. Sipas versionit të tij, Zuko i kishte ngacmuar të dashurën. Ditën e ngjarjes, mes tyre pati fillimisht një përplasje fizike, pas së cilës Sterjo u largua dhe shkoi në banesë.
Më pas, sipas dëshmisë së tij, ai mori një armë zjarri që e kishte fshehur dhe u rikthye në zonën ku ndodhej Zuko. Sterjo ka deklaruar se e ndoqi 20-vjeçarin dhe qëlloi me armë në drejtim të tij.
Pas ngjarjes, i dyshuari u largua nga vendi i krimit dhe qëndroi për disa orë në arrati. Policia e Korçës arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë rreth mesnatës së 9 gushtit, pranë zonës së Mitropolisë.
Gjatë hetimeve janë administruar prova materiale dhe janë sekuestruar sende që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen. Sterjo po hetohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Me vendimin e Gjykatës së Korçës, Kristjan Sterjo do të qëndrojë në paraburgim gjatë vijimit të hetimeve, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes.


