Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike, Rama iu përgjigjet kritikëve: “Tabela nuk ndryshon nga mllefi”

Politikë

Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike, Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas renditjes së Shqipërisë në vendin e parë në botë në National Cyber Security Index (NCSI), me një rezultat prej 98.33 pikësh.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u është përgjigjur kritikëve që kanë vënë në pikëpyetje këtë vlerësim, duke theksuar se renditja bazohet në një metodologji ndërkombëtare dhe nuk është rezultat i propagandës.

Kryeministri argumenton se vlerësimi është bërë mbi tregues që lidhen me kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe mekanizmat e parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.

Rama ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve të tij, duke i cilësuar disa prej tyre si “trolla” dhe duke ironizuar reagimet negative pas publikimit të renditjes.

“Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë”, shkruan Rama.

Ai shton se kritikat nuk mund të ndryshojnë rezultatin e publikuar në indeks, duke e cilësuar renditjen e Shqipërisë si një arritje të rëndësishme.

Sipas kryeministrit, përparimi në këtë klasifikim tregon ndryshimin e situatës së Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike, duke argumentuar se vendi është ngjitur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Në fund të reagimit, Rama ka ironizuar sërish kundërshtarët politikë dhe kritikët e tij, duke thënë se reagimet e tyre, pavarësisht nëse janë pozitive apo negative, kanë shërbyer për të rritur vëmendjen ndaj lajmit.

“Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund”, shkruan Rama, duke e cilësuar renditjen si një arritje të rëndësishme për vendin.

ME TE LEXUARAT