Zv kryeministrja Koçiu homazhe për dy të miturit në Durrës: Tragjedia na përball me nevojën për më shumë përgjegjësi!

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ishte sot pranë familjeve që, fatkeqësisht, kanë humbur fëmijët e tyre në ngjarjen e rëndë që ka tronditur opinionin publik.
Më poshtë mesazhi i Zëvendëskryeministres, Albana Koçiu:
“Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre.
Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm.
Prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë. E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur.
Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore. Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.
U prehshin në paqe engjëjt e vegjël. Drita e tyre u bëftë forcë për prindërit në këtë rrugëtim të pafundmë dhimbjeje“.


