Zjarret “në krye” të rreziqeve klimatike, ja çfarë pritet të ndodhë deri në vitin 2050

Zjarret në pyje po kthehen në një nga rreziqet klimatike me pasojat më të mëdha për Shqipërinë, të nxitura nga rritja e temperaturave, thatësirat më të gjata dhe pakësimi i reshjeve gjatë verës.
Sipas Planit Kombëtar të Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026–2036, zjarret, së bashku me përmbytjet, thatësirat dhe rrëshqitjet e dherave, përbëjnë mbi 90% të dëmeve të regjistruara nga fatkeqësitë klimatike në vend.
Gjatë dy dekadave të fundit, fatkeqësitë natyrore dhe klimatike kanë prekur 95% të bashkive shqiptare.
Rritja e temperaturave dhe ulja e lagështisë së tokës pritet ta bëjnë bimësinë më të ndezshme, duke zgjatur sezonin e zjarreve dhe duke rritur mundësinë që flakët të përhapen në sipërfaqe më të mëdha.
Parashikimet klimatike tregojnë se deri në vitin 2050, temperatura mesatare mund të rritet me 0.9–2 gradë Celsius, ndërsa reshjet verore mund të bien me 8.1–17.6%.
Zjarret dëmtojnë biodiversitetin, degradojnë dhe ekspozojnë tokën ndaj erozionit, cenojnë burimet ujore dhe kullotat, si dhe ulin aftësinë e pyjeve për të përthithur karbonin.
Dëmet transmetohen edhe në bujqësi, blegtori dhe turizëm, ndërsa komunitetet rurale humbasin burime të ardhurash nga druri, bimët mjekësore dhe produktet e tjera pyjore.
Plani parashikon se dëmet ekonomike nga ndryshimet klimatike në tërësi mund të arrijnë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në vitin 2050, në mungesë të masave të përshtatjes.
Për të kufizuar rrezikun, Plani Kombëtar ndër të tjera synon krijimin e katër fidanishteve dhe ripyllëzimin e sipërfaqeve pyjore të zhveshura, të dëmtuara nga erozioni, zjarret dhe prerjet.
Parashikohet gjithashtu monitorimi i mbijetesës së fidanëve dhe përdorimi i specieve më të përshtatshme për kushtet e reja klimatike.
Masat e tjera përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të pyjeve dhe zonave të mbrojtura, restaurimin e ekosistemeve të dëmtuara, kontrollin e erozionit dhe krijimin e skemave të pagesës për shërbimet e ekosistemit, me synimin që një pjesë e financimit të ruajtjes dhe rehabilitimit të pyjeve të sigurohet nga përfituesit e këtyre shërbimeve.
Në total, Plani Kombëtar përmban 13 masa prioritare për sektorin e pylltarisë. Zbatimi i tyre do të shtrihet gjatë periudhës 2026–2036, ndërsa disa ndërhyrje afatgjata parashikohet të vijojnë deri në vitin 2042.


