35-vjeçari qëllon me thikë 3 dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani

Një 35-vjeçar nga Afganistani, i armatosur me thikë, sulmoi disa persona pranë një stende të Dëshmitarëve të Jehovait në stacionin qendror hekurudhor të Würzburgut, Gjermani.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 07:50 në hyrje të stacionit. Sulmuesi goditi një 68-vjeçar dhe më pas sulmoi një 55-vjeçar dhe një 51-vjeçar.
Përveç reagimit të menjëhershëm të kalimtarëve, në vendngjarje ndërhyri edhe një polic në civil, i cili, së bashku me të tjerët, arriti të neutralizojë sulmuesin. Pak më vonë, një patrullë e policisë federale mbërriti dhe e arrestoi përkohësisht atë.
Policia bëri të ditur se tre persona u lënduan lehtë dhe po marrin trajtim mjekësor. Zona përreth stacionit u rrethua dhe autoritetet vazhdojnë hetimet, duke shqyrtuar pamjet nga kamerat e sigurisë dhe duke kontrolluar banesën e 35-vjeçarit.


