A e sulmoi Izraeli Libanin për të prishur armëpushimin e luftës me Iranin?

Bota

A e sulmoi Izraeli Libanin për të prishur armëpushimin e

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, së bashku me zyrtarë të tjerë, kanë deklaruar se sulmi më i madh kundër Hezbollahut gjatë luftës njëmujore me Iranin ishte i targetuar me kujdes ndaj anëtarëve të këtij grupi të armatosur. Megjithatë, nga zhvillimet në terren, sulmet duket se kanë pasur po aq karakter demonstrativ dhe politik në funksion të Netanyahut, sa edhe vlerë ushtarake.

Shumë analistë kanë hedhur dyshime se sulmi i ndërmarrë pa paralajmërim dhe që goditi mbi 100 objektiva brenda 10 minutash, përfshirë zona të dendura banimi në qendër të Bejrutit mund të ketë pasur si synim minimin e armëpushimit mes SHBA-ve dhe Iranit, i cili perceptohet nga disa si i imponuar ndaj Netanyahut “të pakënaqur”.

Versioni i paraqitur në mediat izraelite pretendon se Hezbollahu kishte zhvendosur postet komanduese në zona civile jashtë bastioneve të tij tradicionale, si periferia e gjerë Dahieh, për t’i fshehur dhe mbrojtur më mirë. Një pretendim i ngjashëm është bërë më parë nga Izraeli edhe ndaj Hamasit në Gaza.

Megjithatë, përmasat e mëdha të sulmit, mungesa e paralajmërimit dhe identiteti i disa prej viktimave, përfshirë nipin dhe këshilltarin personal të sekretarit të përgjithshëm të Hezbollahut, Naim Qassem, Ali Yusuf Harshi sugjerojnë një objektiv më ambicioz: një përpjekje të dështuar për të eliminuar vetë Qassemin. Paraardhësi i tij, Hassan Nasrallah, u vra nga Izraeli në vitin 2024.

Ajo që mbetet e qartë është se, në negociatat e brishta për armëpushim të ndërmjetësuara nga Donald Trump dhe rrethi i tij, çështja e luftës së Izraelit në Liban kundër një aleati të Iranit është lënë me dashje ose jo, si një “bombë me sahat”.

Sulmet izraelite ndodhën pavarësisht deklaratave të Hezbollahut se ishte njoftuar për armëpushimin dhe se ishte angazhuar për ta respektuar atë që në mëngjes, sipas burimeve politike libaneze.

Deri të enjten, Hezbollahu dhe Izraeli kishin rifilluar shkëmbimet e rënda të zjarrit. Arsyetimi i Netanyahut për një sulm kaq shkatërrues ndaj zonave civile, vetëm disa orë pas shpalljes së armëpushimit, është parë si i dobët. Deklaratat e tij për eliminimin e një ndihmësi të Qassemit dhe këmbëngulja për të drejtën e Izraelit për të vijuar sulmet në Liban janë interpretuar nga disa si përpjekje për të sabotuar marrëveshjen e armëpushimit, të cilën ai e kishte kundërshtuar.

Ndërkohë, zyrtarët izraelitë megjithëse besojnë se armëpushimi më i gjerë mund të dështojë, duket se mendojnë se kanë të paktën dy javë për të vijuar operacionet në Liban, ndërsa negociatat mes Iranit dhe SHBA-ve pritet të vazhdojnë.

Vëzhguesit theksojnë ironinë se pikërisht vazhdimi i luftimeve nga Izraeli mund të çojë në dështimin e marrëveshjes, ndërsa zyrtarë të lartë iranianë kanë paralajmëruar për reagim ndaj Izraelit. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi se sulmet izraelite në Liban shkelin armëpushimin dhe rrezikojnë t’i bëjnë negociatat të pavlefshme.

Qendra analitike “The Soufan Center” në New York vlerëson se, edhe nëse Libani nuk ishte pjesë formale e marrëveshjes, përmasat e sulmeve izraelite do të perceptohen si përshkallëzim i situatës. Sipas saj, këto sulme mund të interpretohen si përpjekje për të përçarë Iranin nga aleatët e tij, por edhe si reagim ndaj anashkalimit të Izraelit në diskutimet fillestare për armëpushim.

Në analizën e saj, qendra shton se Izraeli ishte njoftuar për marrëveshjen vetëm në momentin e fundit dhe kishte shprehur pakënaqësi, ndërsa Netanyahu duket i vendosur të ndjekë një strategji të “tokës së djegur” në Liban, edhe nëse kjo rrezikon vetë armëpushimin.

Nga ana tjetër, Irani pritet të përpiqet të shfrytëzojë dhe thellojë çdo tension mes SHBA-së dhe Izraelit, me qëllim përçarjen e dy aleatëve.

Sipas Marion Messmer, drejtuese e programit për sigurinë ndërkombëtare në “Chatham House”, sulmet izraelite në Liban nxjerrin në pah një problem më të thellë: vështirësinë e Uashingtonit për të menaxhuar marrëdhëniet me Izraelin, aleatin e tij në përballjen me Iranin.

Në një analizë, ajo thekson se këmbëngulja e Izraelit për ta përjashtuar veprimin e tij ushtarak në Liban nga marrëveshja e armëpushimit zbulon kufijtë e ndikimit amerikan mbi aleatët. Sipas saj, bombardimet e vazhdueshme mund të minojnë armëpushimin dhe ta mbajnë SHBA-të të përfshirë në një konflikt nga i cili po përpiqet të tërhiqet.

Pas javësh tensionesh me aleatët europianë për mungesë mbështetjeje, tani duket se marrëdhënia me Izraelin përbën një rrezik më të madh për interesat amerikane në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, burime pranë ushtrisë izraelite vlerësojnë se, pavarësisht ofensivës tokësore në jug të Libanit dhe fushatës së bombardimeve, çarmatimi apo mposhtja e plotë e Hezbollahut mbetet objektiv jorealist./tvklan

ME TE LEXUARAT